Prova e abuzimit me çmimin e naftës! Nafta në bursa u ul nga data 14, Shkupi e uli me 10 lekë kurse Bordi këtu “harron” të mblidhet

16/11/2022 19:43

“Ju sfidoj të më gjeni qoftë edhe një provë abuzimi”, tha një ditë më parë ministrja e Financave, njëkohësisht drejtuese e Bordit të Transparancës, për çmimin e naftës.

Indikatorë të shumtë tregojnë se bordi po favorizon kompanitë e naftës dhe jo qytetarët. Një prej tyre është vonesa në uljen e çmimit, kur në bursa nafta zhvlerësohet, apo kur zhvlerësohet edhe dollari. Kjo ka ndodhur disa herë që nga koha kur bordi vendosi më 12 nëntor çmimin 223 për litër. Në Maqedoninë fqinje, enti mbikqyrës i tregut të naftës e uli dy herë çmimin më 14 nëntor dhe dy ditë më pas në një total prej 10 lekësh, ndërsa benzinën e ka ulur me 5 lekë.

Aktualisht, çmimi i naftës përtej kufirit është 175 lekë. Në vendin fqinj argumentohet se këto çmime të reja për naftën vijnë si shkak i uljes së çmimeve në tregjet botërore dhe një arsye tjetër është dobësimi i dollarit në kursin valutor. Ky është njoftimi i bordit në Maqedoninë e Veriut që njofton sot se në bursa çmimi i naftës ka zbritur me 2 për qind në krahasim me datë 14 nëntor dhe kjo është arsyeja që çmimi për qytetarët do ulet sërish.

Por bordi shqiptar po e mban të pandryshuar çmimin e naftës që prej datës 12 nëntor edhe pse çmimi ka rënë në bursa. Me këtë vonesë disa ditore, bordi ka favorizuar kompanitë e naftës të cilat po blejnë më lirë në bursë dhe po shesin me shtrenjtë. Ministrja tha se bordi ka zvogëluar marzhet e fitimit për kompanitë, por prej datës 14 këto marzhe janë zmadhuara dhe bordi pranë Ministrisë së Financave nuk po i shikon. Kjo është prova e dytë e abuzimit me çmimin e naftës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA