Denoncimi i Fiks Fare/ Shëtitorja në Lezhë që vetëm “ha” para’!

16/11/2022 20:45

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës abuzimet me fondet e shëtitores përgjatë lumit Drin në Lezhë, shëtitore e cila vetëm sa “ha” para publike! Në korrik të vitit 2022, emisioni investigativ faktoi se për ujërat e zeza të Lezhës ishin investuar rreth 25 milionë euro, por ato ujëra hidhen në Lumin Drin, që kalon mes për mes qytetit.

Ndërkohë, Fiksi investigoi edhe fondet që janë akorduar për rregullimin e shëtitores në të dy anët e lumit. Në vitin 2014, Ministria e Mjedisit njoftoi nisjen e punimeve për projektin e rehabilitimit dhe pyllëzimin e shëtitores “Bregu i Drinit në Lezhë”. Një investim prej 30 milionë lekësh të rinj, që synonte rehabilitimin e Drinit në të dy anët e tij, ndërtimin e shëtitores me një gjatësi 2 kilometra, vendosjen e stolave dhe të ndriçimit. “Do ta shndërrojnë shëtitoren nga një zonë të degraduar në një ambient të pastër, të bukur dhe në shërbim të qytetarit. Për gjelbërimin e Shëtitores do të mbillen 1000 fidanë  të llojit rrap dhe 2600 fidanë dekorativ me ngjyra të ndryshme” tha ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Projekti përfundoi, por gjithmonë kishte probleme në trotuare, në lumë apo edhe në “mobilimin” urban. Fiksi bëri një vëzhgim të gjendjes ekzistuese, ku rezulton me pllaka të hequra, pa asnjë stol, siç edhe u premtua. Ndërkohë, ndarëset e trotuarit me lumin kanë qenë të drunjta. Por edhe ato janë degraduar, disa të kalbura. Pjesë – pjesë të hequra, të shqyera.

Gazetarët biseduan me banorë të Lezhës, të cilët thanë se në atë vend ishte investuar, por ato investimet vetëm sa “i kishte marrë lumi”. “Vetëm vjedhin. Disa pjesa i heqin njerëzit” thonë ata.

Ndërkohë, kamera e Fiksit filmoi edhe disa investime, të cilat ishin bërë si donacion në dhjetor të vitit 2021. Sipas një dokumenti, vlera e këtij projekti ishte 38 milionë lekë, nga të cilat 32 ishin donacion dhe vetëm 6 milionë nga Bashkia e Lezhës. Projekti parashikonte ndërtimin e dy urave për këmbësorë me konstruksion metalik dhe dekorativ. Gjithashtu, ndërtimin e dy moleve të vogla për aktivitete sportive ujore dhe riparimi i gardheve mbrojtëse dekorative të ndërtuara përgjatë shëtitores.

Pra, deri më tani, për shëtitores, ishin hedhur plot 68 milionë lekë të rinj. Por, a kanë mjaftuar?! Jo, pasi 1 vit pas investimit të fundit dhe 8 vite pas ndërtimit të parë, Bashkia e Lezhës ka hapur një tjetër tender me objekt “Rehabilitimi i Shëtitores dhe Lulishtes mbi lumin Drin”. Bëhet fjalë për të njëjtin vend ku investoi Ministria e Mjedisit dhe u dha donacioni. Nga investimi i parë, në atë të fundit, fondi është trefishuar dhe shuma ka shkuar në plot 94 milionë lekë të rinj. Ose me TVSH, shuma shkon në rreth 1 milionë euro!

Në dokumentet e tenderit parashikohen të ndërtohen të njëjta “mobilime” si në vitin 2014. Madje, synohet gjelbërimi, mbjellja e pemëve, vendosja e stolave që nuk u vendosën në vitin 2014. Sërish shtrirja është e njëjta, rreth 2 kilometër. Pra, ato që s’u bënë në vitin 2014, po ribëhen në vitin 2022!

Gazetarët e iu drejtuan Bashkisë së Lezhës, duke bërë një kërkesë për informacion që në datën 6 tetor 2022. Megjithëse kanë kaluar 40 ditë nga ajo kërkesë, ku ka kaluar çdo afat kohor, kjo bashki ende s’na ka kthyer asnjë përgjigje!

FOTO GALERI
6/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA