Befasojnë arkitektët italianë, prezantohet plani për qytetin në formë breshke

15/11/2022 09:11

Arkitektët italianë kanë zbuluar planet për një qytet ultramodern pluskues, në formë breshke, i cili do të kushtojë plot gati 8 miliardë euro për t’u ndërtuar.

Koncepti për qytetin e quajtur “Pangeos” parashikon që gjithçka aty të funksionojë përmes energjisë së siguruar nga panelet diellorë. Në të do të ketë hotele, qendra tregtare edhe parqe. Qyteti lundrues parashikohet të presë 60 mijë banorë, por edhe një pistë për uljen e avionëve dhe të helikopterëve.

Qyteti i projektuar nga studio italiane “Lazzarini” është parashikuar të jetë 548 metra i gjatë dhe 609 metra i gjerë. Sipas arkitektëve do të duhen 8 vite për të përfunduar ndërtimin e tij dhe nëse realizohet, do të ishte qyteti më i madh lundrues në botë. Projektuesit thonë se ky mjet kaq i madh lundrues ka nevojë edhe për porte gjigante për t’u ankoruar. Në prezantimin e studios projektuese thuhet se:

“Duhet një port aq i madh sa për të lejuar këtë strukturë të jashtëzakonshme të dalë në det”.

Lazzarini thotë se emri vjen nga Pangea, superkontinenti që ka ekzistuar miliona vite më parë.

“Qyteti lëvizës është i pajisur me 9 motorë plotësisht elektrikë, që arrijnë deri në 16800 kuaj fuqi dhe marrin energji nga disa burime. Ndërkohë që mjeti lundron, krahët e mëdha do të thithin energji nga dallgët dhe do të mundësojnë që mos ketë kurrë ndërprerje. Gjithashtu, çatia do të jetë e mbushur me panele diellore që do të sigurojnë energjinë e nevojshme për ta furnizuar me energji”.

Kompania italiane thotë se ka nisur një thirrje për të gjetur investitorë, duke ofruar apartamente dhe vila në qytetin-breshkë. Momentalisht njerëzit mund të blejnë hapësirë virtuale në qytet dhe nëse projekti do të realizohet, ajo konvertohet në hapësirë reale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA