Harku i Triumfit tërheq mijëra turistë çdo ditë, por ja cilat janë disa nga gjërat që ata do të donin t’i dinin përpara se të vizitonin këtë monument ikonë të Parisit.
Dy simbolikat e Parisit janë Kulla Eifel dhe Harku i Triumfit. Harku i Triumfit filloi të ndërtohej nga Napoleoni I pas fitores së tij të parë në Betejën e Austerlitz në vitin 1805 dhe, deri sot e kësaj dite, është monumenti përkujtimor më i madh dhe më i njohur në botë.
Harku i Triumfit ndodhet në Place Charles de Gaulle, një kryqëzim që më parë njihej si Place de l’Étoile. Harku ndodhet në qendër, aty ku bashkohen 12 bulevarde të drejta, duke përfshirë Champs-Élysées dhe duke i dhënë kështu këtij kryqëzimi, me Harkun e Triumfit në qendër të tij, pamjen e një étoile, pra pamjen e një ylli. Natyrisht, Harku vizitohet nga mijëra turistë çdo ditë.
Nëse ndodheni në Paris, ka shumë mundësi që ta shihni Harkun e Triumfit nga një distancë tepër e largët. Por, ajo që shumica e turistëve nuk e kuptojnë është se nuk mundet që thjesht të shkoni pranë tij për ta parë nga afër. Harku i Triumfit ndodhet në një kryqëzim shumë të ngarkuar, i cili lidh 12 bulevardet kryesore të qytetit, duke përfshirë Champs-Élysées.
Pra, nëse jeni duke kontrolluar për një vendkalim në kryqëzim që të mund të shkoni pranë Harkut të Triumfit, nuk do të mund ta gjeni atë. Në vend të kësaj, vizitorët duhet të shkojnë në anën veriore të Champs-Élysées, ku ndodhet një tunel nëntokësor nga Place Charles de Gaulle i cili do t’ju çojë në anën tjetër dhe kështu, ju do të gjendeni nën Harkun e Triumfit.
Harku i Triumfit është 50 metra i lartë dhe ka një gjerësi prej 45 metrash. Me këto përmasa, mjafton ta shikoni këtë monument për të mbetur pa frymë. Për më tepër, pjesa e poshtme e Harkut të Triumfit është tërësisht falas. Vizitorët mund të shëtisin përreth Harkut të Triumfit, të ecin nën harkun qendror, të shikojnë skulpturat dhe emrat e 660 gjeneralëve që luftuan në betejë, emrat e të cilëve janë gdhendur në monumentin e Harkut.
Por, përvoja te Harku i Triumfit nuk mbaron këtu, sepse ju mund të ngjiteni edhe në pjesën e sipërme të tij. Pjesa e sipërme e Harkut të Triumfit ofron një pamje mahnitëse të Parisit dhe të kryqëzimit me 12 bulevarde. Thjesht kjo pamje mjafton që vizitorët të blejnë biletën për t`u ngjitur në pjesën e sipërme të Harkut. Aty ju gjithashtu do të mund të shikoni pikat kryesore të qytetit, duke përfshirë Muzeun e Luvrit, Kullën Eifel dhe Champs-Élysées. Por, për të shijuar këtë pamje, duhet të paguani një çmim: vizitorët duhet të jenë gati të ngjisin mbi 280 shkallë për të parë pamjet befasuese të Parisit.
Brenda harkut të Triumfit ndodhet një ashensor i cili është i rezervuar vetëm për gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara, ose ata që kanë fëmijë të vegjël. Të gjithë të tjerët thjesht duhet të përgatiten për të ngjitur shkallët. Ata që mendojnë se të vetmet gjëra brenda Harkur të Triumfit janë 280 shkallët që të çojnë në pjesën e sipërme të tij, gabohen.
Brenda mureve të këtij monumenti gjigant është një muze i vogël që ndodhet një nivel më poshtë pjesës së vëzhgimit dhe, për këtë arsye, shumica e turistëve shpesh nuk e vizitojnë atë. Muzeu tregon historinë e Harkut të Triumfit, duke paraqitur ecurinë e tij nga ndërtimi në fillim të shekullit XIX e deri në shekullin XXI, përmes disa ekspozitave interaktive. Ky muze është një ndalesë e rëndësishme për këdo që dëshiron të mësojë pak më shumë lidhur me këtë monument.
Top Channel