
Njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, vlerësojnë se plani franko-gjerman është ende aktiv dhe në tryezë të palëve, pavarësisht deklaratave të ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç se e refuzojnë atë.
Njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci, thotë për KosovaPress, se në fazën aktuale, plani franko-gjerman për dialogun është opsion real për normalizimin e marrëdhënieve.
“Është bërë mirë që Kosova nuk nxitojë për të kthyer përgjigje në publik, por i ka deponuar mendimet e saja tek Gjermania dhe Franca. Ende nuk dina se çka përmban ai plan, por me aq sa kemi kuptuar përmes mediave dhe burimeve të ndryshme, për këtë fazën që jemi tani mund të vlerësohet si një opsion real për të kaluar një problem që e kemi në vazhdim e sipër, duke pasur parasysh edhe rrethanat gjeopolitike për shkak të luftës në Ukrainë”, tha Raci.
Më skeptik për planin franko-gjerman është njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.
“Shiko sa naiv dalim në politikën e jashtme, ne merremi me targa dhe implementim të vendimit, kur nuk e kemi edhe komunitetit serb në asnjë institucion. Ne asnjëherë s’po flasim për çështje strategjike se si t’i qasemi planit franko-gjerman, po flasim tërë kohën për targa dhe si të kthehemi në gjendjen e mëparshme. Kjo është një autogol i Qeverisë së Kosovës, pavarësisht si ata po mundohen të argumentojnë të drejtën ligjore. Nëse pala kosovare ka pranuar planin, por njëjtën kohë ka marrë këtë vendim (për targa), diçka nuk po përputhet në këtë mesë. Nëse ne kemi pranuar planin, ne jemi pala fituese, por pala fituese nuk bënë probleme për me zbeh problemin”, tha Arifi.
Më herët në forumin e paqes në Paris kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani thanë se plani franko gjerman është një bazë e mirë për normalizimin e marrëdhënies mes tyre.
Top Channel