Akt terrorist i shkaktuar nga një vajzë? Pas sulmit në Stamboll nisin hetimet, flasin dëshmitarët: Njerëzit po vraponin në panik…

13/11/2022 23:08

Një shpërthim i fortë me origjinë ende të panjohur tronditi rrugën Istiklal, një nga më të ngarkuarat në Stamboll, duke lënë 6 njerëz të vdekur dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Policia rrethoi zonën, ndërsa helikopterët filluan patrullimin nga ajri, duke larguar turmat e mëdha të njerëzve nga frika e një shpërthimi të dytë.

“Isha vetëm 50 metra larg, kur papritur dëgjova një zhurmë shpërthimi. Pashë tre-katër njerëz në tokë. Njerëzit po vraponin në panik, shpërthimi ishte i fortë dhe më pas pashë tek dilte tym i zi. Zhurma e shpërthimit ishte aq e fortë sa për pak u shurdhuam, nuk mendoj se vinte nga zhurma e një bombe të zakonshme”, tha një dëshmitar.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e cilësoi ngjarjen si një sulm djallëzor, ndërsa u shpreh se pas saj ka hije terrori. Më i drejtpërdrejtë u tregua zv.presidenti i Turqisë.

Sipas tij, autoritete po hetojnë pistën e një akti terrorist, ndërsa dyshohet se ka qenë një bombë e vendosur nga një agresore femër ajo që solli shpërthimin.

“Kushdo që qëndron pas këtyre incidenteve, pavarësisht kushdo qofshin ata, jo vetëm brenda kufijve, por edhe nëse shkojnë në skajin tjetër të botës, ata do të kapen, ashtu siç kemi kapur terroristët e tjerë dhe ata do të sillen në Turqi, do të dalin para drejtësisë dhe do të mbajnë përgjegjësi me çdo kusht”, u shpreh më tej ai.

Ngjarja ndodhi pak pas orës katër të pasdites në një rrugë të famshme për banorët dhe turistët, ndërsa skenat nga ngjarja tregonin trupa të gjymtuar dhe të shtrirë në trotuar në pritje të ndihmës së parë.

gjinekë

Top Channel