Asnjë hap prapa nuk bën Albin Kurti nga agjenda e tij. Dialogu Kosovë-Serbi nuk ecën përpara pa njohje reciproke, sipas tij, e as sa për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin Prishtinës po i kërkohet me ngulma nga Perëndimi që ta pranojë, kishte këtë përgjigje.
“Shqiptarët e Kosovës përbëjnë 92% të popullsisë, dhe rreth 8% përbëhet nga pakicat. Pakica serbe, por edhe ato boshnjake, rome, egjiptiane, ashkalinjtë dhe goranët. Pra, ne kemi shumë pakica dhe mandate në parlament për këto pakica. Gjithsej ka 11 komuna me shumicë nga këto pakica, sipas propozimit të Martti Ahtissarit. Ka një mundësi për bashkëpunim ndërkomunal, por jo për asociacion mbi baza etnike. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonë në dhjetor 2016”.
Edhe një herë, Kurti e përshkroi propozimin franko-gjerman, që në thelb është propozimi i Brukselit i mbështetur nga Uashingtoni, si një bazë të mirë për vijimin e diskutimeve mbi marrëveshjen përfundimtare, që do të thotë normalizim i plotë mes marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur në qendër njohjen reciproke.
Do të ketë edhe detaje të tjera të kësaj marrëveshjeje, por kryesorja duhet të jetë njohja reciproke, theksoi ai. Kryeministri përsëriti se Beogradi e refuzon propozimin Franko-Gjerman dhe tensionet në veri janë krijuar për të mbuluar këtë refuzim.
Top Channel