
Nën argumentin e kundërshtimit të projektit të Portit të Durrësit, Partia Demokratike ka animuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen që shteti shqiptar ka nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe për bashkëpunim ekonomik.
“Siç e kishim premtuar PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër megaaferës korruptive, për marrëveshjen për Portin e Durrësit Një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private nën petkun e investitorëve strategjik por me kompani offshore, pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese”, tha Bylykbashi.
Edi Rama nuk foli për pretendimet e demokratëve, por mbrojti kontratën me kompaninë “Emaar Group” dhe akuzoi opozitën për trillim.
“Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed. Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë!”
Në pamundësi për të ndalur kontratën e portit te Durrësit me votë në 37 deputetet demokratë sytë i kanë nga gjykata Kushtetuese.
Top Channel