Administrata e Biden autorizoi një ndihmë shtesë prej 400 milionë dollarësh për sigurinë për Ukrainën këtë të enjte.
Paketa e re përfshin raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore HAWK dhe Avenger, më shumë municione për Sistemet e Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS), granatahedhës, predha mortajash dhe artilerie, dhe furnizime të tjera të fushëbetejës.
Kjo është hera e 25-të që SHBA i dërgon Ukrainës ndihmë sigurie duke përdorur autoritetin e tërheqjes presidenciale.
Departamenti i Mbrojtjes i tërheq armët dhe pajisjet nga inventarët amerikanë për t’i dërguar jashtë vendit, në vend që të blejë armë të reja nga prodhuesit.
“Kjo pajisje do të plotësojë kontributet e tjera të mbrojtjes ajrore të shpallura nga aleatët dhe partnerët tanë. Kjo mbrojtje ajrore e shtuar do të jetë kritike për Ukrainën, pasi Rusia vazhdon të përdorë raketa lundrimi dhe drone të prodhuar nga Irani për të sulmuar infrastrukturën kritike civile”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan.
Ndihma e re vjen pasi Ukraina pretendon fitore të mëdha në kundërsulmin e saj jugor. Por Kievi mbetet i shqetësuar se ushtarët rusë që tërhiqen mund ta kthejnë kryeqytetin rajonal Kherson në një “qytet të vdekjes” gjatë ikjes së tyre.
Top Channel