Kurti, në Paris të takojë Vuçiç/ Macron organizon samitin e paqes për të ulur në bisedime Kosovën dhe Serbinë

10/11/2022 19:53

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndodhet në Paris, pas ftesës së Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për të marrë pjesë në Samitin e Paqes.

Megjithatë, me vizitën e tij në Francë është paralajmëruar edhe një takim mes Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, me ndërmjetësim të presidentit francez.

Temë diskutimi pritet të jetë pikërisht plani franko – gjerman për Kosovën dhe Serbinë.

Një draft i këtij plani ka rrjedhur në media e që parasheh që Kosova dhe Serbia zhvillojnë marrëdhënie normale, të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës, të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor e të shkëmbejnë Misionet e Përhershme diplomatike. Ky propozim vlerësohet si i përshtatshëm për Kosovën në këtë fazë.

Plani ka nëntë pika ku mes tjerash obligon Serbinë dhe Kosovën të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE, të mos e përfaqësojnë njëra tjetrën në sferën ndërkombëtare, të respektojnë juridiksionin e secilës palë, të rregullojnë çështjet praktike dhe humanitare dhe ky traktat nuk i prek marrëveshjet e tjera të arritura më herët nga të dyja vendet.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka pranuar që plani franko – gjerman ka bazë të mirë, ndërkohë që presidenti i Serbisë, nuk është deklaruar mbi këtë çështje.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA