Lufta në Ukrainë/ SHBA konfirmon ‘komunikim’ me Kremlinin

08/11/2022 11:57

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, ka konfirmuar se kanalet e komunikimit midis Uashingtonit dhe Moskës mbeten të hapura.

Kjo vjen pasi Shtëpia e Bardhë refuzon të mohojë raportet se Sullivan ka udhëhequr bisedimet me Rusinë për të parandaluar një përshkallëzim bërthamor në Ukrainë.

Sullivan tha se ishte në interesin e SHBA-së të ruanin kontaktet me Kremlinin por ai këmbënguli se zyrtarët e kanë të qartë se me kë kanë të bëjnë.

‘Wall Street Journal’ raporton se Sullivan ka zhvilluar diskutime konfidenciale me homologun e tij rus, sekretarin e Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, dhe ndihmësin e lartë të Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, gjatë disa muajve të fundit.

Zyrtarë thanë se ata kishin diskutuar mënyrat për t’u mbrojtur nga rreziku i përshkallëzimit bërthamor në luftën në Ukrainë, por nuk ishin angazhuar në asnjë negociatë rreth këtyre mënyrave për t’i dhënë fund konfliktit.

Muajin e kaluar, Sullivan tha se çdo përdorim i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike për Rusinë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karin Jean-Pierre tha të hënën se Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën për të zhvilluar bisedime me Rusinë, ndërsa po ashtu Sullivan tha se mbajtja e kontaktit me Moskën ishte në interesat e çdo vendi që është prekur nga ky konflikt.

Por Sullivan tha se administrata e Biden e kishte  detyrim për të ndjekur llogaridhënien dhe u zotua të punojë me partnerët ndërkombëtarë për vënë para përgjegjësisë autorët e krimeve të rënda dhe groteske të luftës në Ukrainë për atë që kanë bërë.

Top Channel