Guterres: Njerëzimi po shkon drejt ferrit klimatik, duhet të veprojmë!

07/11/2022 23:05

Njerëzimi është në një “rrugë që të çon drejt ferrit klimatik”, ky ishte paralajmërimi i frikshëm dhe shqetësues që sekretari i përgjithshëm i OKB-së, bëri para qindra liderëve botërorë në samitin e klimës në Egjipt.

“Ne jemi në luftën e jetës tonë dhe po humbasim… planeti ynë po i afrohet me shpejtësi pikave alarmuese që do ta bëjnë kaosin klimatik të pakthyeshëm, kjo pasi emetimet e gazeve serrë vazhdojnë të rriten, e temperaturat globale po ashtu”.

Guterres tha se bota po përballet me një zgjedhje të ashpër gjatë dy javëve të ardhshme të bisedimeve: ose vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim të punojnë së bashku për të bërë një “pakt historik” që do të reduktonte emetimet e gazeve serrë – ose dështimi i tyre në  të  kundërt do të rezultonte në katastrofë.

Sipas tij bota ka të gjitha mjetet e nevojshme për të reduktuar emetimet e gazeve serrë, në energjinë e pastër dhe teknologjinë me karbon të ulët, por duhet veprim emergjent.

Më shumë se 100 liderë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota u mblodhën në resortin egjiptian të Sharm El-Sheikh të hënën për dy ditë takimesh me dyer të mbyllura dhe ngjarje publike për të diskutuar krizën klimatike.

Nga e mërkura, liderët botërorë do t’ua dorëzojnë zyrtarëve dhe ministrave për pjesën tjetër të dy javëve të bisedimeve. Megjithatë, samiti premton të jetë i ngarkuar dhe i vështirë, me pak mundësi për një përparim.

Top Channel