Muzeu i industrializimit “Papavangjeli”, dëshmi për hapat e parë në pazarin e Gjirokastrës

06/11/2022 12:42

Në vitin 1880 at Vangjeli që shërbente në të gjithë zonën e Lunxhërisë e Odries, çeli punishten e parë të lëkurëve e cila duke u zgjeruar dhe duke marrë vëmendjen e tregjeve rajonalë në vitin 1927 u zhvendos në Gjirokastër dhe u kthye në një fabrikë me shumë procese.

Sipërmarrja ishte një nga themelet e industrializimit në qytet me themelimin në vitin 1934 të shoqërisë aksionere Papavangjeli dhe djemtë. Familja e tregtarëve të njohur u godit gjatë komunizmit me burgime, ekzekutime dhe shpronësim masiv duke fshirë nga kujtesa kolektive edhe kontributin e shquar të shumë familjeve qytetare në zhvillimin ekonomik dhe edukimin e shoqërisë. Sot godinës së kompleksit Papavangjeli i është dhënë emri i dikurshëm ndërsa tuneli hyrës për në katet e sipërme, një hapësirë me karakter publik është kthyer në një minimuze të hapur për të gjithë, ku dokumentohet historiku i familjeve që hodhën bazat e industrisë dhe tregtisë.

Dëshmi të shumta të mbledhura nga qytetarë, arkiva, dokumentacion e organeve të hetimit të diktaturës janë përmbledhur në një libër kujtimesh për familjet Papavangjeli dhe Muka nga prof. Vasil Muka.

Në Gjirokastër goditja e familjeve të mëdha dhe me peshë në vendimmarrjen publike ishte mes ndërmarrjeve më të pamëshirshme të regjimit. Kompensimi moral dhe ai i pronave ende po kalon përmes kalvarit ligjor dhe nevojës së zgjimit të memories kolektive.

 

Top Channel