Licenca e shtëpisë së të moshuarve “Orenda” është pezulluar  pas publikimit të videos ku infermierja ushtronte dhunë ndaj një të moshuare.

Në rezidencën që ndodhet në Pejë u krye një inspektim nga Ministria e Financave dhe më pas ka dhënë vendimin.

Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë gjithashtu inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent.

Më pas ka marrë vendimin që subjektit “Orenda” t’i pezullohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.

Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i detyruar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) detyrohet  të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.

Si ndodhi ngjarja:

Një e moshuar rezidente në Shtëpinë e Pleqve në Pejë është dhunuar fizikisht nga punonjëset e institucionit.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, njëra nga punonjëset shihet tek e godet të moshuarën në mënyrë të vazhdueshme, teksa kjo e fundit mundohet të rezistojë.

Punonjësja Aurona Pelaj, vazhdon me dhunën madje duke u mburrur me faktin që di të bëjë edhe më shumë para dy punonjësve të tjera.

Për ngjarjen që dyshohet se ka ndodhur të shtunën, Policia e Kosovës ka arrestuar Aurona Pelajn dhe shefen e punonjësve në Shtëpinë e Pleqve “Orenda”, për veprën penale ‘Sulmi’ dhe veprën penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi. Të dy punonjëset janë në mbajtje për 48 orë.

Rasti është raportuar nga palë të treta, meqë asnjë prej personave të përfshirë në ngjarje nuk e kanë njoftuar udhëheqësinë e institucionit e as Policinë e Kosovës.

Azili për të moshuarit ka njoftuar se ka pezulluar nga puna Aurona Pelajn bashkë me tre punonjëse të tjera që kanë qenë në ndërrim dhe nuk e kanë raportuar rastin.

Ndërkaq, ka reaguar edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të cilët e kanë dënuar rastin dhe shtojnë se video e publikuar tregon se personat në fjalë kanë kryer veprën penale të keqtrajtimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe se ka elemente të “torturës”.

Rezidenca për të Moshuarit “Orenda” në Pejë është institucion privat që si shërbime ofron akomodimin dhe përkujdesjen ndaj të moshuarve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA