Dëmtimi i infrastrukturës nga bombardimet ruse, vijon ndërprerja e energjisë në të gjithë Ukrainën

03/11/2022 13:37

Në Ukrainë ka vijuar ndërprerja e energjisë elektrike pas dëmtimit të infrastrukturës nga bombardimet ruse.

Vendimi i autoriteteve për të përballuar situatën e vështirë në të cilën ndodhen, është zbatuar në të gjithë zonat.

Kompania kombëtare e energjisë e Ukrainës, Ukrenergo, tha se ndërprerjet zbatoheshin për banorët në Kiev, Chernihiv, Cherkasy, Zhytomyr, Sumy, Kharkiv dhe Poltava. Gjithashtu në Dnipropetrovsk, Zaporizhzhia dhe Kirovohrad janë vendosur e zbatuar oraret e mbylljes emergjente.

“Ju kujtojmë se kufizimet e konsumit janë të nevojshme për të reduktuar ngarkesën në rrjete, për të siguruar balancimin e qëndrueshëm të sistemit energjetik dhe për të shmangur aksidentet e përsëritura pasi rrjetet e energjisë janë dëmtuar nga sulmet me raketa dhe sulmet me dron nga rusët”, thuhet në deklaratë.

Kompania shpjegoi se masa të tilla lejojnë që objektet e dëmtuara të restaurohen “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Që nga fillimi i tetorit, Ukraina ka parë një numër të lartë sulmesh të kryera në infrastrukturën e saj të energjisë.

Si rezultat, mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe ujë, situatë e cila është disfavorizuar edhe nga temperaturat e ulëta në prag dimri.

Top Channel