PE, rezoluta për Ballkanin Perëndimor: Sundimi i ligjit, thelbi i dokumentit-Votimi në nëntor!

01/11/2022 13:51

Sundimi i ligjit qëndron në thelbin e draft-rezolutës së miratuar nga Komiteti i Parlamentit Europian për Punët e Jashtme (AFET) në mes të tetorit e që pritet të votohet nga PE-ja në seancën plenare, të planifikuar te mbahet ne mesin e muajit nëntor.

Rezoluta u fokusua tek shtetet e Ballkanit Perëndimor, Turqia dhe vendet e Partneritetit Lindor, duke vënë në dukje pengesat konkrete në rrugën e tyre europiane për t`u marrë në shqyrtim për secilin shtet individualisht. Edhe pse zgjerimi konsiderohej aty si një nga politikat më të suksesshme të BE-së të të gjitha kohërave, ai, nënvizohej në dokument, lipset të kryhet sic duhet duke vendosur në qendër të procesit sundimin e ligjit dhe reformat demokratike.

“Sundimi i ligjit është thelbi i draftit”, pohoi për menaxheri i programit në Qendrën e Politikave Europiane nga Beogradi Strahinja Subotić. Por indeksi i Sundimit të Ligjit për 2022-shin publikuar nga worldjusticeprojetc, tregoi pikërisht se Shqipëria rezultonte këtë vit me një rënie prej tre vendesh.

Indeksi krijohet mbi bazën e tetë faktorëve ku i pari është ai i kufizimeve në kompetencat e qeverisë që nënkupton se deri në çfarë pike institucionale dhe kushtetuese kufizohen zyrtarët për të mbajtur përgjegjësi para ligjit.

Tek treguesi i mungesës së korrupsionit, Shqipëria renditej e 107-ta, ndërkohë që një vit më parë ishte e 105-ta; tek transparenca e qeverisë ishte e 84-tat mes 140 vendeve ndërkohë që një vit më parë ishte e 82-ta, tek rendi dhe siguria, e 50-ta nga vendi i 47 që ishim më herët.

Përballë këtij hulumtimi aspak optimist, vendoset draft-raporti i PE-së, i cili i mëshon veçanërisht transformimit demokratik dhe sundimit të ligjit duke i vendosur në zemër të procesit të anëtarësimit në BE, krahas prioritetit që i duhet dhënë pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Top Channel