Qytetarët e Elbasanit po lëvizin gjithnjë e më pak me autobus. Kriza ekonomike solli ngritje të çmimit të naftës, për pasojë edhe bileta e udhëtimit kushton më tepër duke u rritur deri në 30 përqind.

“Aktualisht kemi 18-20 autobusa për transportin Elbasan -Tiranë, aktualisht lëvizin 10-12 autobusa, edhe ato jo me kapacitet të plotë“, tha Bardhi Projka, menaxher i linjës së autobusave Elbasan-Tiranë.

Nafta e kushtueshme, ka ulur numrin e pasagjerëve dhe ka rritur kostot e mirëmbajtës së automjeteve. Çdo shërbim në servis kushton dy herë më shtrenjtë se para një viti.

“Rritja e çmimeve, naftën, pjesëve që amortizohen, pagat e punëtorëve janë dyfishuar, nuk më ajo xhiro ditore që ishte para dy vjetësh. Autobusët nuk mbushën më plot, vetëm ato të mëngjesit, më pas në drekë 50% ndërsa në darkë vetëm 20%, ndërkohë që çmimi i naftës nuk lëviz”, u shpreh Bardhi Projka, menaxher i linjës së autobusëve Elbasan-Tiranë.

Linjat e transportit ndërqytetas prej tre vitesh përballen me vështirësi ekonomike si fillim qe pandemia ajo që paralizoi lëvizjet e këtyre autobusëve, ndërsa sot çmimi i lartë i karburantit.

Deri para një vitit një litër naftë kushton 170 lekë, atëherë udhëtimi nga Elbasani në Tiranë kushtonte 150 lekë, ndërsa sot kur nafta kushton 236 lekë, bileta e udhëtimi kushton 50 lekë më tepër.

Karburanti i kushtueshëm ka bërë që numri pasagjerëve të pësoi rënie, ndërsa biznesit i janë rritur kostot.

Top Channel