Pavarësisht pezullimit të marrëveshjes së grurit me Ukrainën, të shpallur nga Rusia, Kombet e Bashkuara thanë se eksportet mund të vazhdojnë.

“Iniciativa jonë, marrëveshja e grurit dhe angazhimet e bëra mbeten në fuqi”, tha koordinatori i Ndihmës Emergjente të OKB-së, Martin Griffiths në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot në Nju Jork.

“Rusia ka pezulluar përkohësisht aktivitetet në zbatim si iniciativë”, shtoi ai.

Dymbëdhjetë anije u larguan nga portet e Ukrainës të hënën dhe dy u nisën për në Ukrainë për të ngarkuar ushqime. Në fillim mbeti e paqartë nëse Kombet e Bashkuara do të vazhdonin eksportimin e dërgesave të grurit në një afat të gjatë pa pjesëmarrjen e Rusisë.

“Ne i mirëpresim ata si pjesëmarrës të plotë dhe aktiv në përmbushjen e qëllimeve për të cilat kemi zhvilluar, rënë dakord dhe kemi nënshkruar. Kombet e Bashkuara janë të gatshme të adresojnë shqetësimet dhe të dëgjojnë sugjerimet nga të gjitha palët”, sipas Griffiths.

Të shtunën, Rusia pezulloi marrëveshjen, e cila u ndërmjetësua nga Turqia dhe OKB-ja. Moska përmendi sulmet me drone nga forcat ukrainase në flotën e saj të Detit të Zi si arsye, duke pretenduar se Ukraina kishte shfrytëzuar mbrojtjen e korridorit të dërgesës së grurit për këto sulme.

Top Channel