Dasma që u kthye në mort! Detaje të reja nga vrasja e 39-vjeçarit në Tiranë, prej vitit 2010 në konflikt me një familje në Lezhë

31/10/2022 09:00

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e Briken Sanajt, ndodhur një natë më parë te Kodra e Diellit në Tiranë.

39-vjeçari një natë më parë ishte fillimisht në Lezhë, në dasmën e kushëririt të tij. Kur ka mbaruar dasma, ata kanë sjellë nusen në Tiranë tek pallati ku jetonte prej më shumë se një viti.

Kur ka zbritur nga makina ai është qëlluar për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje. Autorët kanë arritur të largohen dhe makina e tyre  tip “Benz” u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një kallashnikov.

Sipas informacioneve, makina ishte me targa të vjedhura vetëm pak ditë më parë në Tiranë.

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.

Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua. Për shkak të konfliktit, pista kryesore ku po hetohet për vrasjen është hakmarrja. Mësohet se ata bënin lëvizje të kontrolluara, për shkak të këtij konflikti dhe nuk ekspozoheshin në publik.

Makina e djegur e autorëve

Si ndodhi vrasja?

Pak minuta para mesnate Briken Sanaj është qëlluar nga një makinë tip “Benz” në lëvizje. Ai ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me 3 persona të njohur  në trotuar. Autorët janë afruar me makinë dhe nga një distancë  e afërt e kanë qëlluar me breshëri me kallashnikov.

Sanaj ka tentuar t’i shmanget plumbave por nuk ka mundur, ndërsa është dërguar i pajetë  në spital me plagë në trup. Persona që kanë qenë në vendngjarje i kanë ardhur në ndihmë duke e nisur për në spital. Karakteristikat e këtij mjeti i janë dhënë patrullave, të cilat kanë ngritur postbllok, por ende nuk ka asnjë gjurmë të autorëve. Viktima ka më shumë se një vit që ishte rezident në “Kodrën e Diellit”, ndërsa përdorte edhe identitetin Anton Gjini.

FOTO GALERI
2/15
Makina e djegur e autorëve

Top Channel