Tre vite pas tërmetit, pa shtëpi/ Dhjetëra familje në Manëz po jetojnë në kontejnerë! Rindërtimi po vonohet

29/10/2022 19:26

Afërsisht 3 vjet pas tërmetit që shkatërroi dhe la pa shtëpi mijëra familje durrsake, një pjesë e tyre nuk janë kthyer në to.

Procesi i rindërtimit vazhdon me arritjet dhe problematikat e veta, ndërsa në Manëz ka ende familje që jetojnë në kontejnerë.

“Në moshën 74 vjeç, çift të moshuarish të vetmuar, a e imagjinoni si është të rrish në kontejner?! Shihni si e kam kokën sa herë ngrihem nga krevati i bie me kokë. Viti i tretë dhe nuk e dimë sa do të vazhdojë. Nuk e dimë se si do të bëhet. Jemi në pritje”, tha i moshuari.

Sadik Përleka është një prej banorëve të dëmtuar nga tërmeti që ka pasur probleme me pronësinë e shtëpisë. Ai dhe 14 familje të tjera që banonin në ish-hotelin e minierës së Manzës nuk e dinë ç’do të bëhet me to.

“Ndjehemi si të poshtëruar. Pallatet janë bërë që në pranverë. Ka hyrje të pazëna që na takojnë dhe ne, por nuk i kemi marrë me pretekstin se nuk kemi dokumente për shtëpitë që kemi pas. Ne kemi qenë të ish hoteli dhe në gjyq për 8 vjet dhe papërfunduar gjyqi ra tërmeti”, u shpreh ai.

Banorët kanë humbur besimin se një ditë do të sistemohen në shtëpitë e tyre. Vendosja e matësve të konsumit të energjisë elektrike i ka bërë dhe më mosbesues.

“A jetohet këtu?! Duan me ardh fëmijët e fëmijët e s’kanë ku të rrinë. Unë në kat të parë dhe gruaja në kat të dytë. Thonë do të na sistemojnë nesër, pas një muaji, pas një viti. Nuk besoj më.”

“S’kam besim. Boll po na gënjejnë. Ka 3 vjet që na gënjejnë. Nuk besoj më po të paktën të na pastrojnë ujërat e zeza. Nuk flemë dot gjumë nga era që na bllokon. A flihet me maskë Paguajta dritat. 151 mijë lekë me borxh.”

“Gatuajmë me gaz, po vetëm pse kemi vendosur kondicionerin se pa atë vdes krejt. Shumë e vështirë në kontejner. Hapësirë e vogël. Të merret fryma.”

“Nuk jemi kundra po për 10 familje që ngelëm këtu i vunë matësit”, thanë banorët.

Situata e tyre është ende e pazgjidhur, po në bashkinë e Durrësit janë ende mijëra banorë që nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre të dëmtuara nga tërmeti.

Tri vite pas fatkeqësisë natyrore, problematikat e programit të rindërtimit janë ende të shumta.

Afro 2900 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe pse jo rregullisht, ndërsa shumë pallate të dëmtuara nuk janë shembur ende dhe as kanë nisur të rindërtohen ato që nuk janë më.

Top Channel