Festivali ndërkombëtar i filmit “PriFest” vjen në Tiranë

29/10/2022 15:27

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest” vjen në Tiranë, dhe do te zgjasë tre ditë.

Ne natën e hapjes, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se një nga arsyet e mbajtjes së këtij festivali në Tiranë ishte për të kujtuar pikërisht themeluesen e tij, Vjosa Berishën, por njëkohësisht për të pasur edhe Prishtinën më afër.

“Një nga arsyet për të pasur një edicion festivali, ishte patjetër për të kujtuar Vjosën, shoqen time dhe tonën, një njeri që ka lëne gjurmë me art, me njerëzit që dashuroi dhe frymës që përçoi në komunitetin tonë. Ajo ka qenë, siç e ka pasur emrin, Vjosë. Pra një lumë i rrëmbyer, i destinuar që të marrë përpara gjithë pengesat. Besoj se është nga të rrallat herë kur një njeri i qëndron vërtetë emrit të vet. Jam shumë i lumtur që për nder të Vjosës, t’i bëjmë edhe një nder Kosovës. Kemi një mundësi që ta trajtojmë marrëdhënien dhe raportin special qe kemi me Prishtinën, me Kosovën, jo si një nga 52 javët e vitit, por të mundohemi që në çdo javë te kemi ne Tirane shijen e Kosovës”.

Festivali i filmit PriFest u themelua nga Vjosa Berisha në vitin 2008 pas pavarësisë së Kosovës si një nevojë për të promovuar imazhin e saj kulturor dhe artistik si shtet i pavarur. Edicioni i parë i tij u mbajt një vit më vonë, në vitin 2009. Vjosa Berisha u nda nga jeta në qershor të vitit të kaluar pas një beteje të vështirë me sëmundjen.

 

Top Channel