Tre të vdekur në përplasjen e rëndë me policinë pranë rezortit turistik në Spanjë (fotot)

27/10/2022 17:49

Policia ka qëlluar për vdekje autorin në vendngjarje pas tragjedisë që nisi prej konfliktit familjar.

Një sulmues i armatosur ka qëlluar sot për vdekje dy njerëz, përfshi dhe një oficer policie si dhe ka plagosur disa të tjerë në tragjedinë e nisur prej një konflikti familjar.

Një burrë dhe babai i tij u përfshinë në një konflikt të rëndë në Spanjën qendrore që pati një fund të përgjakshëm.

Fqinji i sulmuesit dhe një oficer policie u qëlluan për vdekje pranë një shtëpie në Ciudad Real, rreth 170 km në jug të kryeqytetit Madrid.

Grupe speciale të policisë u dërguan me urgjencë në vendngjarje pas raportimeve për të shtëna armësh zjarri në Ciudad Real.

Oficerët thanë se kishin qëlluar për vdekje sulmuesin për të parandaluar të tjera viktima.

Fqinji raportohet se ishte qëluar aksidentalisht teksa po përpiqej të ndërmjetësonte në konfliktin mes sulmuesit dhe babait të tij.

Pas masakrës, sulmuesi u mbyll për t’u mbrojtur në shtëpinë e tij pranë rrugës kombëtare mes Argamasilla de Calatrava e Villamayor de Calatrava.

Por sipas raportimeve ai kishte qëlluar pa diskriminim ndaj makinave që kalonin, ku raportohet se u vra oficeri policisë.

Një tjetër oficer policie është plagosur teksa tentonte t’i jepte ndihmë kolegut të tij të qëlluar.

Kryebashkiaku i Villamayor de Calatrava, Juan Antonio Callejas, tha se sulmuesi kishte qëlluar ndaj shumë makinave kalimtare. Rrugët ishin mbyllur për arsye të incidentit të rëndë.

Rrjeti ABC Espana tha se sulmuesi mund të kishte “probleme psikologjike”.

Autoritetet thanë se sulmuesi është eliminuar por hetimet për qartësimin e rrethanave të ngjarjes së rëndë vazhdojnë.

FOTO GALERI
1/5
Tre njerëz kane vdekur në përplasjen e rëndë me policinë pranë nje rezorti turistik në Spanjë

Top Channel