Teatri në pritje të drejtorit të ri/ Më 28 tetor përfundon afati i dorëzimit të dokumenteve

27/10/2022 15:37

Gara për drejtor të ri të Teatrit Kombëtar është drejt finalizimit në përfundimin e afatit të dorëzimit të dokumenteve.

Më 28 tetor të gjithë kandidatët do të kenë dorëzuar edhe një platformë të administrimit të institucionit. Që prej 2014 Teatri Kombëtar ka qenë nën drejtimit e aktorit dhe regjisorit Hervin Culi. Për dy mandate ai ka qëndruar në krye të këtij institucioni duke përjetuar edhe shembjen e teatrit dhe zhvendosjen në skenën e re Arturbina. Culi e ka deklaruar publikisht që nuk do të ketë një tjetër kandidaturë nga ai.

Një kandidaturë e re për postin e drejtorit do të jetë Kiço Londo. Sipas tij ai nuk konkurron për drejtor por për kryeshqëbëtor. Dhe për këtë të fundit thotë që nuk ka rivalë.

Institucioni më i fundit që drejtoi Kiço Londo ishte Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Për gjashtë vjet, që prej 2014 deri në 2020. Menjëherë pas tij drejtimin e këtij institucioni e ka marrë Altin Basha. I pyetur nga Top Channel, Basha tha se ende nuk ka paraqitur një kandidaturë për të drejtuar Teatrin Kombëtar, por ka afat deri më 28 tetor ta bëjë këtë.

Një tjetër emër i lakuar është Artan Imami.  Ndërsa Ema Andrea dhe Indrit Cobani konfirmuan për Top Channel që nuk do të kandidojnë.

Teatri Kombëtar financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Por drejtuesit janë ankuar që buxheti vjetor është I papërfillshëm.

 

Top Channel