Rrezikoi tragjedi, nis punën fabrika në Porto Romano/ Banorët kërkojnë mbylljen: Bombë atomike në mes të lagjes!

27/10/2022 15:23

Një ditë pas rrezikut për një shpërthim të mundshëm nga rrjedhja e pakontrolluar e gazit në një zonë të banuar në Porto Romano të Durrësit, fabrika ku ndodhi incidenti ka vijuar punën normalisht.

Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal ndaj administratorit të kompanisë për ndotje të ajrit dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në pune. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka gjetur mangësi të theksuara në dokumentacion, ku përmendet mungesa e certifikatës për transportin e mallrave të rrezikshëm, ndërsa cisterna e incidentit rezulton të jetë e pacertifikuar.

“Sot puna vazhdon si në normalitet por nuk është mirë. Kjo duhet të hiqet. Unë kam njerëzit e mi në punë këtu por duhet mbyllur urgjentisht se mbi jetën nuk vlen asgjë”, thotë një qytetar.

“Ndihemi të frikësuar. Kjo është bombë atomike. Erdhën për shampo e biskota dhe të punësojnë gratë e filluan bombolat e gazit”, thotë një tjetër.

“Të punësuar janë hallexhinj të zonës dhe jo të kualifikuar. Jemi të pambrojtur. Pa asgjë.”

“Është keq dhe në shkolla. U mbyll dje dhe ata po e lejnë pas dore. Ne s’jemi në Ukrainë. Jemi në Shqipëri të merren masa sa më parë’, bën thirrje qytetari.

“Kur shihja luftën në televizor, gruaja më tha: ti e ke luftën këtu”, tregon banori.

Shkolla 9-vjeçare “Met Hasa” që ndodhet përballë fabrikës ku ndodhi incidenti, një ditë më parë mbylli dyert e saj, ndërsa sot nxënësit dhe mësuesit janë kthyer duke vijuar normalisht procesin mësimor. Megjithatë në klasa ka pasur dhe mungesa, pasi disa prindër kanë hezituar për çështje sigurie t’i dërgojnë nxënësit në shkollë.

“Jemi pa asnjë lloj mbrojtjeje. Na ka mbet vetëm me blloku shkollën dhe rrugët. Presim orë e çast që të merren masa. I kam thënë dhe drejtuesit të policisë që për t’u ngatërruar dy persona dhe për një gisht dore merren masa menjëherë. Presim shiritin t’i vihet e të bllokohet ky subjekt këtu. E shohim të paarsyeshme këtë të keqe këtu në mes të lagjes. Shkolla 50 metra. Ky është një tmerr i madh jo vetëm për ne, po për të gjithë Durrësin mbarë”.

Pasi kanë protestuar për vite të tëra kundër vendgrumbullimit të mbetjeve urbane, banorët kërkojnë sërish mbështetjen e shtetit në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të tyre.

Top Channel