Buxheti 2023 nuk adreson krizën dhe nuk mbështet shtresat në nevojë. Të këtij mendimi janë ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve shpenzimet duhet të orientohen drejt konsumit për të rimëkëmbur ekonominë.

 “Dihet që në kohë krize pesha specifike e popullsisë në nevojë rritet dhe statusi social-ekonomik I kësaj kategorie përkeqësohet. Çfarëdolloj shpërndarje që bën buxheti është një lloj kosto për pjesën tjetër të shoqërisë dhe një pamundësim për shpenzime në sektorët prioritarë. Të synohet një lloj racionaliteti dhe barazie, në mënyrë që personat që janë në nevojë të marrin një mbështetje të qëndrueshme.”- tha Zef Preçi

Të ardhurat në buxhet do të jenë për shkak të çmimeve të larta, jo për shkak të administrimit tatimor.  Merr të ardhura 2.5 herë më shumë dhe shpenzon më pak. Nuk mendoj se të kursesh duke ulur borxhin është një rrugë efiçente për momentin. Të paktën borxhi nuk duhet rritur, por ulja e tij në këto momente krize është jo rruga e duhur për të patur një mirëqenie më të rritur dhe rritje ekonomike mesatare gjatë vitit të ardhshëm.”- tha Fatos Çoçoli.

Ekspertët vlerësojnë se vëmendja duhet të përqendrohet te sektorët kyç të ekonomisë, që mund të gjenerojnë më shumë të ardhura. Me përfundimin edhe të programit të Rindërtimit, ekonomisë i duhen edhe më shumë stimuj

“Shumica e parave publike të investohen në sektorë që gjenerojnë vende pune dhe shtojnë kontributet në taksa.  Fokusi më i mirë tek këto degë dhe sektorë prioritarë sidomos tek bujqësia janë një mundësi për të shtuar kontributet e këtij sektori, si për shembull tek turizmi, pasi ato janë të lidhura dhe përgjithësisht në ekonominë tonë kombëtare.”- tha Zef Preçi.

“Duke qenë ekonomi konsumi, duhet të rritet konsumi.  Konsumi rritet me pagesa të drejtpërdrejta duke mbështetur qytetarët, sidomos shtresat më në nevojë. Kjo rritet me mbështetjen e atyre sektorëve siç është bujqësia, turizmi që na japin vlerë të shtuar më të madhe. Duke parë projektbuxhetet e qeverive përreth nesh, nuk besoj se po e ushqejmë mjaftueshëm potencialin ekonomik të vendit tonë.”- tha Fatos Çoçoli.

Parashikimet janë që ekonomi shqiptare të ngadalësohet ndjeshëm vitin që vjen. Sipas Bankës Botërore rritja ekonomike nuk do të kalojë 2.3%, më e ulëta në rajonin e Ballkanin Perëndimor, ndërsa shtohet edhe përqindja e njerëzve që ndodhen në rrezik varfërie.

Top Channel