Ish i dërguari i Bashkimit Europian në negociatat për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischinger mendon se për Kosovën, mund të jenë të vlefshme disa nga parimet e modelit të dy Gjermanive.
Përderisa kjo ide, sipas tij, ka funksionuar atëherë, nuk ka arsye përse të mos funksionojë edhe në kontekstin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas diplomatit veteran, duhet vetëm që draft marrëveshja e dorëzuar në vitin 2007 të adoptohet për situatën e 2022-ës.
Ai e sheh me interest ë vecantë faktin që tashmë ka një përfshirje aktive edhe të qeverive te Francës e Gjermanisë. Një përfshirje e tillë e Parisit zyrtar në procesin e dialogut, nuk ishte parë ndonjëherë në të kaluarën.
“Shiko, kjo ishte 14 vjet më përpara. Dhe natyrisht që sot është ndryshe nga 14 vjet më parë. Por, disa nga parimet themelore të modelit gjerman vazhdojnë të mbeten të rëndësishme. Ideja është se nëse nuk mund të zgjidhesh çështje shtetërore në këtë moment, siç është ajo e njohjes formale, atëherë të paktën të provosh të zgjidhësh çështje të tjera praktike, siç është lëvizja e njerëzve, njohja e diplomave, targat e makinave. Kjo funksionoi në kontekstin gjerman, kështu që mund të funksionojë dhe për Kosovën e Serbinë. Sigurisht draft-marrëveshja që ne kemi bërë në 2007 duhet të adoptohet për situatën e 2022, në një mënyrë apo tjetër dhe sigurisht tani ka një përpjekje të re të qeverisë sime dhe asaj franceze për t`i shtyrë gjërat përpara, dhe është shumë e rëndësishme të njihet fakti që Franca po merr pjesë aktive në këto përpjekje, dhe une nuk di që ta ketë bërë këtë në vite apo dekada të tëra në mënyrë proactive”- shprehet Ischinger .
Ischinger thekson se modeli i dy Gjermanive ka parim themelor reciprocitetin, pra që secila palë të ketë përgjegjësi ashtu si pala tjetër. Kjo është një recetë e vjetër diplomatike, që të gjendet një zgjidhje e balancuar, shprehet ai, ndërsa kujtoi se kryeminstri i Kosovës e përmend shpesh reciprocitetin e kjo sipas sipas diplomatit gjerman dëshmon se Kurti e vlerëson atë si parim themelor në raportin mes Kosovës dhe Serbisë.
Top Channel