Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, tha se ka shpresa që deri në fund të vitit, Kosova të marrë përgjigje pozitive “sa i përket dinamizimit të procesit të liberalizimit të vizave”.
“Ajo që është thënë sot është se ky proces do të vazhdojë”, tha Abazi.
Këto deklarata Abazi i bëri pas takimit të anëtarëve të Komisionit me ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guérot.
Më 13 tetor, në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të Bashkimit Evropian, zyrtarët e Francës kushtëzuan procesin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit të sigurisë në Evropë, ETIAS.
Abazi tha se në takimin me ambasadori francez, ky i fundit shprehu mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, por shtoi se ka “disa shqetësime që duhet të adresohen”.
“Kemi argumentuar për atë se çfarë do të thotë për qytetarët e Kosovës që ky proces të mos ketë qartësinë e plotë. Kemi marrë përgjigje gjithashtu. Është një klub i shteteve të BE-së që po bën negociata për të gjitha aspektet, përfshirë edhe ETIAS si sistem që jo domosdo e prek vetëm Kosovën, por e prek edhe Kosovën. Sërish kemi argumentuar në nivelin e asaj se çfarë qytetarët kosovarë presin nga ky proces”, tha Abazi.
Sistemi ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen.
Procedura ligjore për të miratuar këtë sistem ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023, pa ndonjë datë të saktë.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018. Zyrtarët shtetërorë në Kosovë kanë thënë se do të ishte e padrejtë që të vendosen kushte të reja në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që i nënshtrohen regjimit të vizave gjatë udhëtimit në Zonën Shengen.
Top Channel