Dr. Akjemal Magtymova akuzohet se ka mbajtur festa ekstravagante dhe i dhuronte makina e bixhuteri zyrtarëve të regjimit, të gjitha të paguara me fondet e agjencisë.
Drejtori i degës së Mesdheut Lindor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha sot se ishte “shumë i shokuar” nga akuzat se përfaqësuesja e organizatës në Siri, Dr Akjemal Magtymova ka shpërdoruar miliona dollarë, ka abuzuar me stafin e saj dhe ka shkelur protokollet shëndetësore në vendin e varfëruar e shkatërruar nga lufta.
Në një email për stafin e organizatës në Lindjen e Mesme, Dr Ahmed Salim Al Mandhari tha se “akuzat ndikojnë negativisht për popullin e Sirisë, të cilëve ne po përpiqemi t’i shërbejmë”.
Zhvillimi vjen teksa kësaj jave, dy anëtarë të departamentit të etikës së OBSH në Gjenevë, duke përfshirë dhe drejtorin, vizituan selinë kryesore të agjencisë në Kairo, e cila kujdeset dhe për degën në Siri.
“Qëllimi i kësaj vizite ishte rritja e ndërgjegjësimit për aspekte si etika, sjellja parimore, vlerat dhe pritshmëritë”, i thuhej stafit në email.
Agjencia AP publikonte një investigim bazuar në komunikime dhe materiale të ndryshme, që tregonin se përfaqësuesja e OBSH në Siri, ishte përfshirë në sjellje abuzive ku vinte stafin nën presion për të nënshkruar kontrata me zyrtarë të lartë të regjimit në Siri, duke i mbushur ata me dhurata e favore nga fondet e agjencisë.
Magtymova nuk ka komentuar ende por ka quajtur akuzat “njollosëse”.
Zyrtarët thanë se dështimet e përfaqësueses së lartë të OBSH vënë në rrezik reagimin e Sirisë ndaj sëmundjeve dhe gjendjes së rëndë të shkaktuar në vend nga vitet e luftës.
Një zyrtar shëndetësor që punon në zonat veri-perëndimore, opozitare të Sirisë tha: “Dështimet institucionale prekin qindra mijëra njerëz. OKB më parë ka përdorur ndihmat humanitare si një mjet lufte, duke refuzuar ndihmën në kohë për njerëz me qëndrime të caktuara politike, ose në zona që janë jashtë kontrollit të qeverisë”.
Zyrtari më tej kritikonte OBSH për qëndrim të rehatuar me qeverinë e Damaskut, në vend që të veprojë për të mirën e popullit sirian, shkruan rrjeti i Emirateve të Bashkuara Arabe, ‘The National’.
Por pretendimet ndaj drejtoreshës së OBSH në Siri janë bërë nga të paktën 12 anëtarë të stafit të saj dhe kanë nisur një nga hetimet e brendshme më të mëdha ndërsa vite.
Zonja Magtymova vijon të mbetet në postin e saj dhe me të njëjtën rrogë.
Dokumentet financiare të shfaqura nga rrjeti amerikan AP tregonin mes të tjerash se Magtymova kishte shpenzuar $11,000 nga fondet e OBSH për një festë në nder të arritjeve të saj gjatë pandemisë. Ndërsa stafi i saj udhëzohej të blinte dhurata për zyrtarë qeveritarë sirianë si monedha ari apo makina të shtrenjta.
Karam Shaar, ekspert i Sirisë në Middle East Institute, thotë se ka pasur zhurma korrupsioni të stafit të OBSH në Siri prej vitesh, por raporti i agjencisë AP tregon masën e madhe të korrupsionit.
“Ajo që ndodhi me zyrën e OBSH në Siri është më e rëndë në këtë periudhë, kur sirianët janë në kushte të rënda, dhe kur OBSH duhet të ishte më shumë se të tjerët në krye të detyrës atje”.
Shaar llogarit se më shumë se 80 përqind e blerjeve të OBSH nga Siria, ku u shpenzuan $39 milionë nga viti 2016 deri në 2021, vjen nga furnitorë me identitet të fshehur.
Top Channel