“Është privilegji i jetës sime”/ Rishi Sunak jep fjalimin e parë si kryeministri i ardhshëm i Britanisë: Do të punoj ditë pas dite

24/10/2022 17:40

Rishi Sunak do të jetë kryeministri i ri i Mbretësisë se Bashkuar, pas dorëheqjes së Liz Truss e cila rezistoi vetëm 45 ditë në pushtet.

Sunak është pikërisht ai që nisi zinxhirin e dorëheqjeve që rrëzuan Boris Johnon si kryeministër. Ai tashmë do të jetë kryeministri më i ri në detyrë që Britania ka parë në 200 vitet e fundit dhe i pari kryeministër me ngjyrë.

Ndërsa pritet të marrë konfirmimin nga mbreti Karli i tretë ashtu siç tradita e kërkon për të nisur zyrtarisht punën si kryeministër të martën, Sunak doli në një konferencë si lideri i ri i konservatorëve.

“Është privilegji më i madh i jetës sime të jem në gjendje t’i shërbej partisë që dua dhe vendit të cilit i detyrohem kaq shumë. Sigurisht  nuk ka dyshim se ne po përballemi me një sfidë ekonomike. Tani kemi nevojë për stabilitet dhe unitet.  Sepse vetëm kështu do t’i kapërcejmë sfidat me të cilat përballemi dhe do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.Unë zotohem se do t’ju shërbej me integritet dhe përulës.”- tha Sunak.

Në garën e fundit, gjatë verës, krahasuar me Truss, multimiliarderi 42 vjeçar ndoqi një linjë më pak ideologjike për çështje si Brexit dhe ekonomia. Por Ashtu si Truss, Sunak ka premtuar një qasje të ashpër ndaj imigracionit të paligjshëm. Sunak, prindërit e të cilit erdhën në Mbretërinë e Bashkuar nga Afrika Lindore në vitet 1960, është me origjinë indiane. Babai i tij ishte mjek, ndërsa nëna e tij drejtonte një farmaci në Anglinë jugore.

Ai është përballur me shumë sfida për prejardhjen e tij elitare, pasi ka studiuar në universitetet ekskluzive si Winchester College, Oxford dhe Stanford. Ai njihet për shijen e tij të shtrenjtë në modë dhe ka punuar për banka prestigjioze, madje mediat raportojnë se pasuria e tij tejkalon edhe atë të mbretit Karli i tretë.

Sunak u zgjodh për herë të parë si deputet në vitin 2015. ishte Johnson ai që i dha Sunak rolin e tij të parë të madh në qeveri, duke e emëruar atë si kryesekretar të Thesarit në 2019 dhe më pas kancelar në 2020.

Sunak e ka udhëhequr Mbretërinë e Bashkuar përmes pandemisë dhe e ka pozicionuar veten si një njeri që mund të mbajë  një sistem “financiar të shëndoshë”.

Top Channel