Të gjitha vajzat 13 vjeç do të vaksinohen ndaj kancerit të qafës së mitrës.

Kjo vaksinë aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të përfshihet në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. Sasitë e para të vaksinës kanë mbërritur tanimë, por pritet të krijohet infrastruktura e nevojshme në mënyrë që të nisë ky proces. Kanceri i qafës së mitrës është shqetësues te gratë në vendin tonë, pasi prek çdo vit 100 raste të reja.

Kanceri i qafës së mitrës është një ndër sëmundjet që u shkurton jetën grave. Ndër shkaqet kryesore është fillimi i marrëdhënieve seksuale në moshë te re, pra nën moshën 18 vjeç.

Sondazhe të shumta të kryera në shkolla të mesme në vendin tonë tregojnë se shumë vajza i nisin nën këtë moshë marrëdhëniet seksuale. Por në fakt, të gjitha gratë janë të riskuara për t’u prekur nga kanceri i qafës së mitrës, por ky risk shtohet më shumë kur ajo kryen marrëdhënie me disa partnere apo anasjelltas, kur mashkulli që ajo frekuenton ka disa partnere.

Shkaqe të tjera lidhen me infeksione të patrajtuara te femrat si dhe kur një grua ka imunitet të ulët. Kjo sëmundje është e parandalueshme, por kur gruaja është e ndërgjegjësuar për kontrollet e saj siç është Pap Testi një herë në vit.

Në vendin tonë, ka nisur depistimi ndaj Human Papiloma Virusit te gratë 40-50 vjeç, që është dhe mosha më e riskuar për ta diagnostikuar në kohe.

Sa më herët të diagnostikohet infeksioni me Human Papiloma Virus, aq më i lehtë bëhet trajtimi dhe në 80 % të rasteve mund të parandalohet kanceri i qafës së mitrës.

Top Channel