Drafti gjerman për komunat serbe/ Qeveria e Kosovës: Asosacioni i komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën

21/10/2022 12:34

Një draft- statut për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe i hartuar nga ekspertë gjermanë është në qarkullim këtë të enjte.

Sipas këtij dokumenti “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është si një entitet legal i themeluar në vijë me Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

I përmbledhur në 17 nene, drafti gjerman tregon objektivat dhe strukturën e asociacionit, entitet ky që do të përbëhet prej 10 komunave e shumicë serbe që vullnetarisht vendosin t’i bashkohen asociacionit.

Sipas draftit, Asociacioni mund të shpërehet me 2/3 e votave të asamblesë së saj dhe po me të njëjtën shumicë mund të përjashtohen ose pranohen komunat në këtë entitet.

Me këtë propozim, Bashkësia me Shumicë Serbe do të ketë edhe objektivat e veta në forcimin e demokracisë lokale dhe zhvillimin e ekonomisë.

Asociacioni do të mund të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në fushën e edukimit, ku mbetet fokus arsimimi në gjuhën serbe, financimi dhe përcjellja e trendeve të edukimit bazuar në ligjet në Kosovë, por që drafti i mundëson bashkëveprimin me palët tjera, përfshirë autoritetet e edukimit të Republikës së Serbisë, për përmbushje të kësaj objektive.

Mbikëqyrje të plotë do të ketë edhe në përmirësimin e kujdesit primar, sekondar shëndetësor dhe atë social, e po ashtu edhe në koordinimin e planifikimit urban dhe rural, ku këtu përfshihen edhe masat për përmirësimin e kushteve për kthim të të zhvendosurve në Kosovë.

Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe do të ketë edhe trupën e vetë udhëheqëse që përbëhet nga Asambleja, Presidenti, Zëvendëspresidenti, Këshilli, Bordi dhe Zyra e Apelit.

Asambleja e Asociacionit do jetë organi suprem i tij i përbërë nga përfaqësues të caktuar nga secila asamble e komunave pjesëmarrëse në raport 10 me një.

Asoiacioni do të ketë edhe simbolet, stemën dhe flamurit e vet.

Derisa te buxheti dhe përkrahja “Asociacioni do të ketë buxhetin e vet, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies. Ndërkaq do të financohet mes tjerash edhe nga Serbia.

Ndërkohë që draft – statuti sqaron se “brenda një viti nga miratimi i Statutit të Asociacionit rishikimi i zbatimit të tij do të bëhet nga Qeveria dhe në rast të mosmarrëveshjeve ndërmjet Qeverisë dhe Asociacionit që rezultojnë nga shqyrtimi, Qeveria do ta referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim”.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës thotë që nuk ndryshon qëndrim se Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë derisa për draftin gjerman shton se përveçse draft, është pa autor dhe si  Qeveri e Republikës së Kosovës kanë kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojnë dhe respektojnë.

Për dokumentin në fjalë të enjten njohësit e çështjes kanë kërkuar edhe sqarime nga Qeveria pasi që vlerësojnë se hapë rrugë për një “Republikë Srpska”.

Top Channel