Nga data 19 tetor deri më 21 tetor me synimin e veçantë për të mbështetur kompozitorët e rinj shoqata ACA organizon Balkan Contemporary Youth Academy.

Në kuadër të “Balkan Contemporary Youth Academy”, do të zhvillohen një sërë koncertesh me krijimtarinë e kompozitorëve Johannes Kretz, Dorian Çene, Annelies van Parys, Aulon Naçi, Jana Andreevska, Feim Ibrahimi, Thoma Gaqi, Kuno Kjærbye, Bela Bartok, Branka Popovic.

Koncerti i orkestrës së harqeve, që do të mbahet datë 20 Tetor, do të drejtohet nga z. Olsi Qinami dhe do të paraqesë vepra të njohura për publikun shqiptar si koha e dytë nga Simfonia për Harqe e Feim Ibrahimit me solist Xhovana Marku, “Batikroma”e Thoma Gaqit, vallet e famshme të kompozitorit hungarez Bela Bartok, sikurse dhe premiera shqiptare si “Appearance” i Kuno Kjærbye dhe “Stardust” i Branka Popovic për violë solo dhe orkestër harqesh e cila do të interpretohet nga Prof. Arben Llozi.

Në përfundim të aktiviteteve formuese, më 21 Tetor do të mbahet edhe koncerti i kompozitorëve të rinj pjesëmarrës në BCYA. Veprat e këtij koncerti janë propozuar nga vetë krijuesit, ndërkohë që teknikat kompozicionale dhe ato interpretative, do të konsultohen me pedagogët përgjatë zhvillimit të veprimtarive formuese.

Për të ofruar një ekspertizë sa më të mirë, sikurse dhe për të nxitur krijimin e networking mes artistëve të rinj nga rajoni e më gjerë, kemi ftuar ansamblin Italian “Alter Voci” i cili do të shërbejë si ensemble in residence dhe do të interpretojë në koncertet e datave 19 dhe 21 Tetor.

Balkan Contemporary Youth Academy zhvillohet në kuadër të “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” (Tirana European Youth Capital 2022) dhe bazuar në objektivat e këtij projekti, synon stimulimin e të rinjve për të qenë më proaktivë për çështjet që i shqetësojnë ata, si dhe më të prirur për të shfrytëzuar mundësitë ekzistuese në funksion të rritjes profesionale dhe karrierës artistike.

Ky aktivitet organizohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA