Rreth 300 banore të pesë fshatrave në Shkodër, kanë mbetur të izoluar.
Shkak është bërë shembja e urës në Rragam duke bllokuar rrugën lidhëse me Shkodrën. Po ashtu është paralizuar lëvizja edhe drejt dy digave mbi hidrocentralin e Vaut të Dejës.
Edhe katër turistë gjermanë të cilët prej disa ditësh po eksplorojnë bukuritë e zonës kanë mbetur të bllokuar pasi me automjetet e tyre nuk mund të kalojnë mbi urë. Për ketë, ata thonë se kanë njoftuar edhe ambasadën gjermane.
“Dy ditë më parë erdhëm këtu dhe vendosëm që të qëndrojmë për një natë. Ishte gjithçka e bukur dhe po kënaqeshim por në darkë erdhi njëri nga stafi i bujtinës dhe na tha se ura është shembur dhe nuk kemi rrugë tjetër. Tani kemi mbetur të bllokuar këtu. Me makinën tonë nuk mund të lëvizim por duhet patjetër që të kthehemi në Gjermani pasi na pret puna”, u shpreh turisti.
“Kemi që të martën që jemi këtu dhe jemi bllokuar. Vendosëm të udhëtonim drejt Tiranës por ura na është prishur dhe kemi mbetur këtu. Kontaktova menjëherë me ambasadën gjermane në Tiranë për ti kërkuar ndihmë, pasi të shtunën kemi fluturimin drejt Gjermanisë dhe duhet patjetër që të shkojmë në aeroport“, u shpreh një tjetër turist.
Banoret e fshatrave të Gjocit, Rragamit, Mazrekut, Vilzës dhe një pjesë të Shllakut, kërkojnë ndërtimin e urës ose të paktën lejen, për të krijuar një rrugë provizore deri në momentin që autoritetet të investojnë.
Top Channel