Fiks Fare/ “Po më urën ç’patën”, si u degradua projekti i Përroit Leshniqe në Kavajë me vlerë 4 milionë euro

20/10/2022 21:05

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes degradimin e një projekti për rehabilitimin e një përroi në Kavajë me vlerë 4 milionë euro.

Nëpërmjet pamjeve, dokumenteve dhe dëshmive, Fiksi faktoi ndryshime të mëdha të projektit të prezantuar 3 D me punët në terren. Megjithëse rehabilitimi kushtoi miliona euro, ai është mbuluar nga kallamishtet dhe ferrat. Bashkia e Kavajës nuk ka lekë as ta mirëmbajë dhe jo ta bëjë të lundrueshëm, me korsi biçikletash, gjelbërim, ashtu siç ishte në maket.

Denoncimi i parë i Fiks Fare ka qenë në muajin prill të vitit 2018. Në atë kohë, emisioni investigativ, faktoi se investimi ishte shkatërruar pa kaluar 1 vit nga ndërtimi.  Bëhet fjalë për rehabilitimin e përroit të Leshniqes në Kavajë, i cili u përurua dy herë në prag të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në vitin 2017, ndërkohë që përmbytjet shkaktuan dëme të konsiderueshme, në atë projekt. Sipas vëzhgimit të Fiksit në 2018-ën, pjesë të mëdha të trotuareve, pllakave, apo edhe betoni, ishin shkulur nga vendi. Madje, në qershor të vitit 2017, vetë Kryeministri Rama vizitoi zonën për punimet e kryera në fazën e parë. Por, me përmbytjet në fund të vitit 2017, pati shumë dëme, edhe pse qëllimi kryesor i rehabilitimit të përroit ishte për të shmangur përmbytjet. Fiksi pyeti në 2018-ën edhe Bashkinë e Kavajës, ku ish-kryetari Isa Sakja, tha se punët janë marrë në dorëzim dhe se firma duhet të riparonte dëmet. Por, ai tha se asnjë nuk merr përsipër gabimin, pasi ndërtuesi thotë e ka fajin projekti dhe projektuesi thotë e ka fajin ndërtuesi!

Po në vitin 2022, a është gjetur “fajtori”?! Fiks Fare iu rikthye kësaj problematike. Kamera e Fiksit filmoi përroin, ku sërish gjendja ishte skandaloze. Trotuaret kanë filluar të shkatërrohen, vendi është i pa pastruar.  Ndërkohë, që në atë vend, sipas projektit, ishte parashikuar të ndërtohej një urë. Por, ura është “zhdukur” dhe ajo nuk është ndërtuar kurrë. Gazetarët e Fiksit krahasuan projektin 3D me punët në terren. Në projekt ishte edhe ura ovale, por s’është ndërtuar! Gjithashtu, edhe një urë e vogël këmbësorësh, me një hark. Por, sërish ajo urë nuk është bërë, teksa në atë vend ka vetëm një urë të ngushtë metalike ku mund të kalojë 1 person. Nga vëzhgimi i Fiksit rezultoi se projekti është mbuluar nga kallamishtet, ferrat. Në projekt ishte parashikuar të ndërtohej korsi biçikletash, trotuaresh. Një pjesë e korsisë së biçikletave ishte bërë, por ajo kishte filluar të shkatërrohej. Madje, edhe trotuarët e ribërë pas vitit 2018. Gjithçka, po shkon sërish në pikën 0, teksa investimi 4 milionë euro po e rimerr përroi.

Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës, nëse e ka gjetur apo jo fajtorin për këtë gjendje dhe se ku shkoi fondi 4 milionë euro. “Punimet kanë filluar më datë 03.08.2016 dhe kanë përfunduar me datë 07.06.2017. Punimet janë marrë në dorëzim nga Bashkia Kavajë” thuhet në përgjigje.

Fiksi e pyeti Bashkinë e Kavajës se në projekt ishte një urë ovale në afërsi të rrethit në grykëderdhjen e përroit, por nga vëzhgimi mungonte dhe a i është kërkuar firmës bërja e kësaj ure. “Jo. Projekti i plotë parashikonte ndërtimin e një ure të tillë po investimi është i ndarë në faza dhe aktualisht është financuar vetëm faza e I e këtij projekti. Sipërmarrësi është likujduar për punimet e kryera në masën 100% të vlerës në afatin e caktuar ” thotë bashkia.

Në projektin e prezantuar, Bashkia e Kavajës synonte që Përroi i Leshniqes të ishte i lundrueshëm deri në afërsi të rrugës kryesore Plepa-Rrogozhinë. Madje, në të dyja anët të kishte korsi biçikletash. Por, nga vëzhgimi rezulton se projekti ka filluar të degradohet. Korsia e biçikletave është bërë vetëm nga njëra anë, ndërsa pemët që duhet të mbilleshin në grykëderdhje nuk janë mbjellë, por në atë vend ka investuar një biznes privat. Fiksi e pyeti bashkinë nëse ka një plan për funksionalitetin e atij përroit.

“Financimi i përfundimtar i projektit për momentin është jashtë mundësive ekonomike të Bashkisë Kavajë dhe për pasojë në mungesë të një financimi të jashtëm është i pamundur funksionaliteti i tij me vetëm angazhimin e Bashkisë Kavajë” vijon bashkia.

Po për mirëmbajtjen, pastrimin e ferrave dhe kallamishteve?! “Për shkak të situatave emergjente si Tërmeti datës 26.11.2019, pandemia Covid-19 dhe vështirësitë financiare për shkak të luhatjeve të shumta të çmimeve kanë bërë që Bashkia Kavajë të jetë në vështirësi financiare dhe të mos ketë mundësi për mirëmbajtjen e plotë të kësaj vepre. Vepra në fjalë është e madhe dhe kosto e mirëmbajtjes së saj nuk është aspak modeste duke pasur parasysh faktin se është një projekt i papërfunduar” thotë ajo.

Fiksi e pyeti bashkinë edhe për mungesën e ndriçimit, teksa mori një përgjigje se: “Sistemi i ndriçimit në objekt është vendosur si sasi aq sa ka qenë e parashikuar në këtë fazë të investimit. Ky objekt ka përfunduar së realizuari në vitin 2017 dhe nuk mund të përcaktojmë me saktësi kur është dëmtuar çdo dritë e vendosur më vete”.

Pra, projekti 4 milionë euro i prezantuar me aq bujë dhe 3D ka degraduar. Bashkia e Kavajës nuk ka lekë as ta mirëmbajë dhe jo të kërkojë llogari përse nuk është bërë ura!

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA