Deklaratat në lidhje me shpenzimet/ City akuzon Klopp për ksenofobi, përgjigjet gjermani

19/10/2022 10:56

Përballja mes Liverpool dhe Manchester City nisi para se të dyja skuadrat të zbrisnin në fushë dhe të dhuronin spektakël shoqëruar me një luftë të vërtetë sportive.

Sfida mes dy klubeve që kanë dominuar Premier League në sezonet e fundit, startoi në konferencë aty ku tekniku i Liverpool, Jurgen Klopp theksoi se The Reds nuk mund të shpenzojnë në merkato si The Citizens duke lënë të nënkuptohet se te City falë sheikut Mansour i shkelin rregullat megjithatë nuk dënohen asnjëherë prej Fair-Play-t financiar.

Këto deklarata janë interpretuar së fundmi si ksenofobi nga ana e Klopp teksa Liverpool i ka mbërritur një dosje anonime nga City, ku ankohen pikërisht për fjalët e teknikut gjerman.

Por, i menjëhershëm është edhe reagimi i Klopp që thekson se askush nuk mund të bëjë një akuzë e cila nuk lidhet aspak me personalitetin e tij.

“Padyshim që ky nuk është rasti për të ngritur akuza, unë e njoh veten time. Nuk mund të më akuzojnë për diçka që nuk lidhet aspak me karakterin tim. Nëse do të bëja një deklaratë ksenofobe, atëherë do të urreja veten time.

Unë e kam përmendur edhe më parë se fjalët e mia mund të interpretohen në mënyra të ndryshme dhe e di këtë rrisk. Por, nuk kam bërë asnjë deklaratë të qëllimshme, vetëm kam shprehur mendimin tim. Ky nuk është nga ato rastet ku duhen interpretuar fjalët e mia, absolutisht jo”, tha Klopp.

Top Channel