Rusia nuk i ndal sulmet, vë në shënjestër objektet energjetike të Ukrainës

18/10/2022 14:18

Forcat ruse kanë goditur sërish objektet energjetike të Ukrainës, me sulme në Kiev dhe qytete të tjera të mëdha.

Presidenca ukrainase tha se kishte pasur tre shpërthime në Kiev ndërsa gazetarët e BBC raportuan për shtëllunga tymi që ngriheshin në anën e majtë të qytetit në orët e para të mëngjesit.

Dy objekte u dëmtuan rëndë në qytetin qendror të Dnipros dhe u raportuan ndërprerje të energjisë në Zhytomyr. Sulmet e fundit erdhën 24 orë pasi Kievi u godit nga dronët “kamikaze”.

Dronët pa pilot, që besohet se janë të prodhuar nga Irani, vranë të paktën tetë njerëz në kryeqytet dhe qytetin verior të Sumy, dhe goditën infrastrukturën kritike, me ndërprerje të energjisë elektrike të raportuara në qindra qytete dhe fshatra.

Shpërthimet janë dëgjuar edhe në Mikolaiv, kanë thënë zyrtarët lokalë, teksa sulmet e një dite më parë lanë të vdekur të paktën shtatë persona.Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për krime të luftës.

Ndërsa Inteligjenca britanike tha këtë të martë  se ka identifikuar dronët e përdorur nga Rusia dhe se ata janë të prodhuar nga Irani.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka bërë thirrje më 17 tetor që Bashkimi Evropian të vendosë sanksione ndaj Iranit për furnizimet me dronë për Rusinë.

Top Channel