
Viti i ri akademik ka nisur edhe në Vlorë. Universiteti “Ismail Qemali” e nis këtë vit të ri akademik me afro 55% të kuotave të regjistrimit të studentëve të plotësuara duke shënuar kështu mesataren më të ulët të studentëve të regjistruar në programet e studimit.
Degë si mësuesia, fizika, kimia dhe matematika janë në kuota minimale të regjistrimit të studentëve, teksa ende rrezikojnë mbylljen ka ende disa ditë për t’u përmbyllur faza e 3 e regjistrimeve e cila nisi në 12 tetor dhe përfundon më 3 nëntor por në Vlorë shënohet mesatarja më e ulët e studentëve vitet e fundit.
Universiteti i Vlorës këtë vit ka patur rreth 1200 kuota të lira për regjistrime të reja në programet akademike teksa mësohet se numri i studentëve të regjistruar nuk i kalon 700 studentë.
Degët me interes më të lartë janë infermieria me 240 kuota dhe degët e inxhinierisë pasi studentët aplikojnë në këto degë për të ikur jashtë vendit. Nëse nuk do të ishte për këto degë studimi universiteti i Vlorës do të rrezikonte mbylljen. Viti i ri akademik nis edhe më një tjetër problem. Në shumë degë studimi ka mungesa pedagogësh ende pasi ashtu si studentët shumë prej tyre e shohin jetën jashtë vendit.
Ende nuk ka asnjë informacion se çfarë do të bëhet me programet e studimit të mësuesisë, kimisë, matematikës dhe fizikës nëse vijohet me këto shifra, pasi disa prej tyre si mësuesia janë prioritet kombëtare.
Në këtë drejtim universitetit “Ismail Qemali” Vlorë i mbetet të kryqëzojë gishtat për të pasur sa më shumë regjistrime deri në 3 nëntor në fazën në të cilën nuk kanë mbetur edhe shumë studentë për t’u regjistruar.
Top Channel