Dy shtetas nga Peja janë arrestuar në aksin rrugor Qafë Morinë-Tropojë, pasi u kapën duke transportuar mallra kontrabandë drejt vendit tonë.
27-vjeçari me iniciale A.Z. dhe 41-vjeçari I. Rr., 41 vjeç, banues në Pejë u kapën duke transportuar me automjet, mallra të kontrabanduara, xhama dyersh dhe dritaresh, të cilat i kishin kaluar nga pika kufitare Qafë Morinë, duke korruptuar doganierin dhe dy punonjës të Policisë Kufitare.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në pranga kanë rënë dhe tre punonjës të doganës Qafë Morinë. Ndaj 32-vjeçarit me iniciale J.M., me detyrë doganier, 45-vjeçarit me iniciale S.M. dhe 58-vjeçarit me iniciale P.K., me detyrë trup shërbimi në PKK Qafë Morinë ka nisur hetimi për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës.
Duke shpërdoruar detyrën, këta shtetas kanë lejuar kalimin e mallrave të kontrabanduara, kundrejt pagesës.
Top Channel