Shpërthimi i minierës në Turqi/ Shkon në 41 numri i të vdekurve, dhjetëra të bllokuar në 300 metra thellësi

15/10/2022 17:04

Të paktën 41 persona kanë mbetur të vdekur pas një shpërthimi në një minierë qymyri në provincën veriore Bartin të Turqisë.

Më herët, ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, tha se 58 nga 110 personat që punonin në minierë kur ndodhi shpërthimi u evakuuan nga ekipet e shpëtimit ose arritën të dilnin vetë.

“Aty vazhdon ende zjarri, minatorët dhe ekipet kanë bërë sakrifica të mëdha për të mos lënë vëllezërit e tyre atje”, tha ai.

Ministri i Energjisë, Fatih Donmez, tha më vonë se zjarri në minierë ishte vënë përgjithësisht nën kontroll, por përpjekjet për izolimin e tij po vazhdonin pas incidentit që ndodhi 350 metra nën tokë.

Autoritetet turke thanë se Prokuroria ka nisur një hetim për shkakun e incidentit, por sipas të dhënave fillestare shpërthimi ishte shkaktuar nga metani në minierë.

Në vitin 2014, rreth 300 punëtorë u vranë në fatkeqësinë më të rëndë të nodhur ndonjëherë në minierat e Turqisë, në qytetin perëndimor të Somas, 350 km në jug të Stambollit.

Top Channel