Pas vendimit për rinumërimin e votave, Dodik kërcënon se do të shpallë pavarësinë e Republikës Serpska. Opozita shprehet e kënaqur, por cilat janë shkaqet e kërkesës për rinumërim?
Kërkesës së KQZ-së për rinumërimin e votave në zgjedhjet për presidentin e RS-së nuk i ka paraprirë publikimi i rezultateve paraprake, ndërkohë që as anëtarët e komisioneve nuk e kanë të qartë pse është bërë kjo kërkesë në këtë moment.
“Zgjedhjet u mbajtën më 2 tetor. Janë mbajtur edhe dy protesta të opozitës. Nëse ka pasur dyshime, pse nuk kemi marrë një vendim pas tri apo katër ditësh që votat të rinumërohen, e jo tani kur 98 për qind e fletëvotimeve janë përpunuar. Pse nuk u vendos kështu kur kishte vetëm 60 për qind të votave të përpunuara”, pyet burimi ynë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka qenë i përfshirë në të gjithë procesin prej fillimit deri më tani. Ai pohon se edhe në fillim kishte prova të cilave iu referohet tani KQZ.
Sipas Ligjit Zgjedhor, në mënyrë që rezultati nga çdo vendvotim të jetë i vlefshëm, bëhen dy regjistrime të rezultateve në bazë të të dhënave. Nëse rezultatet e para dhe të dyta nuk “përputhen”, kontrolluesi i kërkon KQZ-së që të lëshojë një urdhër për hapjen e thesit me fletëvotime dhe ato rinumërohen e kontrollohen. Por, neni i ligjit të cilit i referohet KQZ-ja në urdhrin e rinumërimit nuk i referohet fare rinumërimit. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë-Hercegovinës koordinon, mbikëqyr dhe rregullon ligjshmërinë e punës së të gjitha komisioneve zgjedhore në përputhje me këtë ligj”, thuhet në nenin e ligjit të cilit i referohet KQZ-ja.
Ndryshimet e fundit
“Së pari është dashur të vendoset për të gjitha ankesat dhe parashtresat, në mënyrë që KQZ të përcaktojë dhe shpallë rezultatet paraprake të zgjedhjeve. Vetëm atëherë do të mund të bëhej kërkesa për një rinumërim. Më pas KQZ-ja mund të rinumërojë fletëvotimet në zona të caktuara zgjedhore. Mbi çfarë baze vendosëm për këtë? Në bazë të ankesave që nuk i kemi përpunuar. Ende nuk kemi marrë vendim për asnjë ankesë, e ata kërkojnë rinumërim”, tha anëtari kroat Vlado Rogiq në seancën e KQZ-së.
Kontestuese janë edhe qëndrimet e anëtarëve të KQZ-së që e mbështetën vendimin, sipas së cilëve, “procedura e provave do të zgjaste tepër” nëse do të merreshin parasysh të gjitha ankesat dhe parashtresat e deritanishme. Vetëm tre ditë më parë, në konferencën për shtyp në Sarajevë, të gjithë anëtarët e KQZ-së u shprehën qartë se kundërshtimet dhe ankesat janë të mundshme vetëm pas shpalljes së rezultateve zgjedhore.
Vendimet duhet të merren sa më shpejt, por në bazë të dëshmive të qarta, thotë ish-anëtari i KQZ-së, Vehid Shehiq. “Po ju them si është sipas ligjit: Pas publikimit të rezultateve paraprake, subjektet politike mund të paraqesin ankesat e tyre për të cilat kanë prova materiale se dyshohet për mashtrim. Pas kësaj, KQZ-ja është e obliguar të ndërmarrë veprime sipas detyrës zyrtare, nëse kontrolli dëshmon se ka pasur parregullsi”, thotë Shehiq, duke deklaruar se pas kësaj subjekti ka të drejtë ankese në Gjykatën e Bosnjë-Hercegovinës.
Shpallja e pavarësisë së RS?
Ankesa është përgatitur tashmë nga SNSD e Milorad Dodikut, i cili paralajmëron edhe hapa të tjerë. Ai pretendon se vendimi i KQZ-së është koordinuar me ndërkombëtarët, se problemi nuk është rinumërimi i votave, por se KQZ-ja nuk po e kryen punën në përputhje me ligjin. “Si është e mundur që gjithçka është në rregull për tre nivelet e tjera, por jo edhe për zgjedhjet për presidentin e RS? SNSD ka fituar mbi bazën e vullnetit të popullit”, tha Dodik, i cili prapë e ka ngritur çështjen e shpalljes së pavarësisë së RS.
“Ky vendim i KQZ-së mund të çojë në përshpejtimin e shpalljes së pavarësisë së RS,” tha Dodik. Ndryshe nga ai, opozita në RS është e kënaqur me vendimin e KQZ-së dhe besojnë se shteti i së drejtës do të fitojë.
“Këtë vendim e kanë shkaktuar parregullsitë e shumta, provat materiale dhe raportet për manipulime”, thotë Jelena Triviq, kandidate e opozitës për presidente të RS.
I kënaqur me vendimin e KQZ-së është shprehur edhe përfaqësuesi i lartë në B-H (OHR), Christian Schmidt. “OHR mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë-Hercegovinës në vazhdimin e aktiviteteve profesionale dhe objektive për vendosjen dhe konfirmimin e rezultateve zgjedhore. Një hetim i pavarur mbi akuzat për mashtrim zgjedhor është thelbësor për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor,” kumtoi ai. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë-Hercegovinës për të rinumëruar votat vetëm për një nivel pushteti është unik. Të tillë nuk ka pasur deri tani në Bosnjë-Hercegovinë./ DW
Top Channel