Që nga shtatori gratë në Iran po protestojnë duke kërkuar të drejtat e tyre, e gratë kosovare këtë të mërkurë përmes një aktiviteti u kanë dalë në krah.
Në shenjë solidarizimi e me thirrjen për liri, gratë në Kosovë kanë prerë edhe flokët e tyre.
Në mesin e qytetarëve mbështetës të kësaj proteste ishte edhe një çift iranian që jetojnë në Prishtinë, që dënuan vrasjen e 22-vjeçares Mahsa Amini.
“Është një momenti rëndësishëm për njerëzit e mi në Iran. Është pikë kritike që pas 43 vjetëve që na kanë turpëruar, manipuluar e të kontrolluar, tani gratë iraniane, vajzat iraniane, me mbështetjen e burrave janë në ballë duke luftuar për të lirinë e tyre, por më e rëndësishmja kërkojnë përmbysjen e regjimit”, tha Reza Khadem qytetar.
Nismës së të rinjve për të Drejtat e Njeriut iu bashkuan edhe qytetarë e organizata të ndryshme në vend, me synim përkrahjen e grave iraniane në luftën për të drejtat e tyre.
“E kemi për detyrë të mbështesim gratë në Iran, për të gjitha gratë në botë dhe i bashkohemi kësaj lëvizjeje për të mbështetur gratë duke prerë flokët”, tha Ioana Lachana, qytetare.
I gjithë aktiviteti pranë sheshit “Skënderbeu” për një orë u përcoll edhe me muzikë në gjuhën iraniane, në shenjë mbështetjeje për gratë që protestojnë dhe nderimi të rreth 185 viktimave të protestave.
Top Channel