Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një skandal, ku disa persona, me probleme të shëndetit mendor, janë lënë rrugëve.

Institucionet shtetërore, por edhe kujdestarja ligjore që merr paratë e KEMP-it, nuk janë kujdesur për këtë familje. Në redaksinë e emisionit investigativ, mbërriti një informacion për familjen Prifti në fshatin Kadipashaj në Njësinë Administrative Krutje, në Lushnje. Ndërkohë, shoqëruar me informacionin, mbërritën edhe disa video, ku dukeshin disa persona, pjesëtarë të kësaj familje, të cilët nuk kanë asnjë përkujdesje.

Fiks Fare ka mësuar se kryefamiljari, Mitër Prifti, trajtohet me pension. Gjithashtu, 3 fëmijët e tij, Edmondi, Erjeta dhe Artani marrin kemp nga Shërbimi Social. Në total, ata marrin rreth 480 mijë lekë të vjetra në muaj.

Ndërkohë, prej disa vitesh, kjo familje ka edhe një kujdestare ligjore, e cila është gruaja e njërit prej djemve të kryefamiljarit, i cili jeton në Lushnje. Kjo kujdestare ka një pagesë mujore prej 160 mijë lekë të vjetra. Nga informacionet që kanë mbërritur në Fiks Fare, kujdestarja jeton në qytetin e Lushnjes dhe nuk ka shkuar asnjëherë për t’u kujdesur për këtë familje. Por, ajo rezulton në dokumente se tërheq në postë dhe sigurime të gjitha pagesat e kësaj familje.

Grupi i Fiks Fare udhëtoi në këtë fshat për të parë se ku jetojnë këta persona. Gazetarët bisedojnë me kryefamiljarin, një i moshuar, i cili tha se ka 4 fëmijë, 3 djem dhe 1 vajzë. 2 djem dhe vajza jetojnë me të, ndërkohë një djalë ka ikur në Lushnje dhe është martuar.

Gazetarët e pyesin nëse merr pension apo kemp, ndërsa ai përgjigjet se i “merr Erjoni” (djali në Lushnje). “Marr unë dhe Mondi, të tjerët jo” pohon i moshuari, ndërsa nuk e di nëse dy fëmijët e tjerë, Erjeta dhe Artani marrin kemp. Sipas informacioneve të Fiksit, të gjithë marrin pension dhe ndihmë sociale!

Fiksi e pyet të moshuarin nëse e njeh kujdestaren ligjore, Aidën (gruaja e djalit, Erjonit), ndërsa ai thotë se “nuk e kam takuar asnjëherë”. Gazetarët e pyesin se kush pastron, na thotë vajza, e cila ka probleme mendore. “Unë gatuaj, vajza pastron. Sot kam bërë patate, dje kisha fasule” thotë ai. Më pas, tregon vendin ku gatuan, një vend i papastruar dhe me mbeturina kudo. Vajza e tij, Erjeta, i tregon grupit të Fiks Fare vendin ku lahen, ndërsa thotë se “unë lahem jashtë”.

Më pas, i moshuari dhe vajza e tij, tregojnë dhomën ku flenë. Krevatat janë thyer, dyshekët shumë të pistë. S’ka çarçafë, ndërsa jorganët dhe batanijet janë shumë të pista. E gjithë dhoma është me mbeturina dhe e papastruar prej shumë kohësh.

Njësoj si i ati, edhe Erjeta thotë se “nuk e ka takuar asnjëherë kujdestaren”. Fiksi pyeti edhe djalin tjetër, Artanin, i cili tha se nuk e di nëse merr apo jo ndihmë ekonomike apo pension. “Nuk e di, është marrë Erjoni” thotë ai, duke shtuar se “s’e kam takuar asnjëherë gruan e Erjonit”.

Pas kësaj gjendje, Fiks Fare shkoi në Postën e Krutjes për të pyetur se kush merr pension, kemp apo ndihmë ekonomike. Punonjësi i Postës thotë se kryefamiljari Mitër Prifti merr pension, por i ka dhënë prokurë nuses së djalit, Aida Prifti për ta tërhequr. Gjithashtu, edhe fëmijët e tjerë, trajtohen me ndihmë ekonomike.

Gazetarët e Fiks Fare takojnë kujdestaren e kësaj familje, Aidën, e cila jeton në Lushnje dhe punon në një dyqan peshku. Aida pranon që merr kempin e tyre prej 4 vjetësh dhe fillimisht na thotë se shkon 3-4 herë në javë.

Më pas, e ndryshon versionin dhe pohon se shkon i shoqi, Erjoni, 1 ditë po 1 ditë jo. Ajo thotë se i çon ushqime dhe mish, ndërsa i çon edhe për vizita në Tiranë dhe u blen ilaçet.

Më pas pohon se do të blejë një shtëpi në Lushnjë dhe do t’i tërheq të gjithë nga fshati. Gazetarët e pyesin se pjesëtarët qendrojnë rrugëve dhe janë të papastruar dhe të pangrënë. “Mos i thoni njeriu” thotë ajo, ndërsa kërkon që këtë gjendje mos t’ia tregojnë askujt.

Fiksi shkon te Sigurimet Shoqërore në Lushnje, ku merr një informacion se Mitër Prifti merr 120 mijë lekë pension.Shërbimi Social në Bashkinë Lushnje thotë se 3 fëmijët marrin KEMP nga 120 mije lekë secili, kurse kujdestarja, Aida Prifti, merr 160 mijë lekë pagë.

Gazetarët e Fiks Fare bisedojnë me përgjegjësen e Shërbimit Social në Bashkinë Lushnje, Anila Çela, e cila thotë se familjes i kanë ndryshuar kujdestar, pas konstatimit nga ana e tyre për gjendjen e mjerueshme në të cilën jetonin. “Tani dokumentet na thonë se janë mirë, s’kanë ankesa dhe s’kanë kërkuar ndryshimin e kujdestares ligjore” thotë Çela.

Më tej pohon se ndryshimin e kujdestarisë duhet ta kërkojnë te noteri vetë pjesëtarët e familjes. “Atyre iu ka ndryshuar jeta. Tani janë shumë mirë. Kështu na kanë raportuar punonjësit e Njësisë Krutje” thotë përgjegjësja. Gazetarët e pyesin nëse Shërbimi Social ka vetëm letrat, pasi gjendja është sërish e mjerueshme. “Ne s’kemi asnjë ankesë nga ajo familje” thotë Çela.

E njëjta përgjegjëse thërret Aidën në Bashkinë e Lushnjes. Fillimisht, Aida thotë se ka shkuar përditë, por vetëm në javën e fundit nuk ka shkuar, pasi ka një problem shëndetësor. Ajo thotë se banon në Lushnje dhe se është kujdesur për ta. “Unë u gatuaj dhe burri im ua çon” thotë ajo, por kur e pyesin se i moshuari gatuan vetë, ajo thotë se “do të lë kujdestarinë”. Megjithatë, gazetarët këmbëngulin se kush do të kujdeset për ata pjesëtarë dhe kërkojnë një përgjigje të sinqertë nga Aida. “Po, kam 5 muaj që s’kam shkuar. Tani do të shkoj përditë që të kujdesem” është një tjetër variant i saj.

Pas kësaj përgjigjeje, përgjegjësja e SHSSH na thotë se, megjithëse ka ndryshuar kujdestari prej disa vitesh, sërish s’paska asnjë përmirësim, pasi edhe më parë kjo gjendje ishte. “Kishit të të drejtë, situata qënka e njëjtë” thotë Çela, ndërsa pohon se do të shkojnë menjëherë për inspektim.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel