Tentoi të korruptojë të penduarin e drejtësisë, SPAK çon në gjykatë ‘Reqin’ e Korçës dhe bashkëpunëtorin e tij

11/10/2022 13:06

Gentian Goskova dhe Ervis Kosova, do të merren të pandehur pasi tentuan në manipulojnë dëshminë e të penduarit të drejtëisë, Luftar Reçi.

SPAK njoftoi sot mbylljen e hetimeve, në bashkëpunim me BKH, dhe dërgimin në gjykatë të dosjes. Ndaj dy të pandehurve, SPAK ka ngritur akuzën e “korrupsionit aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit” kryer në bashkëpunim.

Në njoftimin shpërndarë mediave, thuhet se: Nga hetimi i deritanishëm ka provuar se të pandehurit Gentian Goskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe i pandehuri Ervis Kosova, në bashkëpunim mes tyre dhe me persona të tjerë, kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, në formën e propozimit dhe premtimit të përfitimit të parregullt të dëshmitarit, për të siguruar nga ky i fundit deklarime të rreme (deklarime të marra në funksion të procedimit penal nr.252/2020), duke konsumuar në këtë mënyrë veprat penale të parashikuara nga nenet 312-25 i Kodit Penal.

Sipas SPAK Goskova ka tentuar të korruptojë dhe manipulojë dëshmitarin e prokurorisë, Luftar Reçi, i cili ka dëshmuar për një sërë vrasjes të bujshme në vend si edhe për emra të njohur të botës së krimit. Sipas dosjes “Reqi” dhe Kosova, mbanin kontakte me një punonjës të burgut të Drenovës në Korçë, aty ku mbahet bashkëpunëtori i drejtësisë.

Top Channel