Nusja rrahu vjehrrën në Berat, policia sqaron ngjarjen: Ndaj të resë ka nisur hetimi, vjehrra me urdhër-mbrojtje

11/10/2022 13:55

Është zbardhur ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në Dimal të Beratit, ku një e moshuar pretendon se është dhunuar barbarisht nga bashkëshortja e djalit të saj.

Policia thotë se mëngjesin e 6 tetorit, 61-vjeçarja M. Ç., është paraqitur në komisariatin e policisë në Dimal dhe ka kërkuar që të largojnë nga banesa e përbashkët, bashkëshorten e djalit të saj. Asaj i është shpjeguar se nuk mund ta nxjerrin nusen e saj jashtë banese pa një vendim gjykate.

M.Ç. nuk ka pranuar të depozitojë kallëzim dhe është larguar nga ambientet e Komisariatit.

Policia thotë se po atë ditë,  rreth orës 13:45, janë njoftuar se vjehrra M. Ç. dhe bashkëshortja e djalit E. Ç., janë konfliktuar me njëra-tjetrën.

Vjehrra ka pretenduar se është dhunuar fizikisht nga bashkëshortja e djalit të saj, por kjo e fundit nuk ndodhej në banesë në ato momente.

61-vjeçarja pas pretendimit se nuk ndihej mirë, është transportuar për në Spitalin Rajonal Berat, ku mjekët kanë deklaruar se nuk ka shenja të dukshme dhune dhe për ekspertizë mjekësore më të specializuar, e kanë transportuar për në Spitalin e Traumës Tiranë.

E reja E. Ç. Është shoqëruar në komisariat dhe ndaj saj ka nisur procedimi për veprën penale “Dhuna në familje”. Ndaj vjehrrës së saj është plotësuar Urdhri i Mbrojtjes së Menjëhershme.

Por, historia nuk mbaron këtu, edhe nusja pretendon se është dhunuar psikologjikisht në familjen bashkëshortore. Ajo ka pretenduar se për shkak të konfliktit me shtetasen vjehrrën, është dhunuar psikologjikisht dhe është kanosur nga bashkëshorti i saj, shtetasi E. Ç., por nuk ka dashur të depozitojë një kallëzim penal.

Duke qenë se E. Ç. ka pretenduar sërish se është shqetësuar nga familjarë të vjehrrës, është akomoduar në Qendrën Sociale Poshnje, së bashku me dy fëmijët e saj të mitur.

Top Channel