Kërkoi para për lirimin e të burgosurit/ Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin për prokurorin Edmond Kariqi

11/10/2022 10:43

Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të lejë në fuqi dënimin për prokurorin e Kukësit, Edmond Kariqi.

Kariqi dënohet me 2 vite burg, ndërsa dënimi konvertohet me shërbim prove. Për 4 vite ish prokurori do paraqitet në shërbimin e provës.

Gjithashtu për këtë çështje u shpallën fajtorë edhe Isuf Gega, Emirjan Beu dhe Dritan Dedja, të cilët u dënuan me nga 2 vite burg.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar ata përfituan 1/3 e uljes së dënimit duke u dënuar përfundimisht me nga një vit burg.

Kryeprokurori i përkohshëm i Kukësit, Edmond Kariqi u arrestua me urdhër të SPAK në 30 qershor të vitit 2021 në Kavajë bashkë me shoferin e tij Isuf Gega si dhe dy persona, Dritan Dedjan dhe Emirjan Beun.

Ai u arrestua pasi dyshohet se ka kërkuar nga të afërmit e të hetuarve prej tij 2 mijë euro për të dhënë një masë sigurimi në favor.

Kariqi i ka përdorur si ndërmjetësues Emirjan Beun dhe Isuf Gegën, ndërsa  Dritan Dedja njëri prej të afërmve kërkonte lirimin e djalit të tij Ramadan Dedja.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha thuhet se Dritan Dedja pasi ka tërhequr shumën 2000 euro,  përmes dy personave të mësipërm ka krijuar kontakt të drejtpërdrejtë me prokurorin Kariqi.

Takimet janë zhvilluar kryesisht në qytetin e Kavajës mes bashkëpunëtorëve dhe vetë prokurorit, i cili në kohën kur ka ndodhur kjo ka qenë dhe në krye të Prokurorisë së Kukësit.

Më pas Dritan Dedja ka telefonuar babanë e tij Rrahim Dedja, ku është kryer biseda:

Dritan Dedja: Nesër shkojnë ato, të mërkurën e kë babin aty tek shpaja.

Rrahim Dedja: Sigurtë?

D.Dedja: Po nesër e sigurtë për car i kërkun ata.

Rr.Dedja: Hajt ma ia cove krejt ti?

D.Dedja: Krejt,krejt.
Rr. Dedja:  Hajt bukur ciao.

D.Dedja: T’gjitha, hajt.

Pas këtij komunikimi Dritan Dedja ka pasur edhe komunikime të tjera që lidheshin me shumën e parave me të afërmit e të arrestuarve të tjerë.

Ai gjithashtu komunikon edhe me të arrestuarin ku i thotë, “pata ca punë, takova ca njerëz, mirë mirë fare”.

Isuf Gega ka komunikuar me Emirjan Beun ku i ka treguar për takimin e ditës së kaluar, se janë ulur me “robin e huaj”, duke nënkuptuar prokurorin e çështjes, pra Kariqin.

Në datën 29.11.2019 Dritan Dedja komunikon me Rrahim Dedjan ku i thotë: “Të hënën do t’ia çojmë, të martën mund t’i qisi ata,  thashë të hënën do t’ia çojmë me cu lekët, T’i mbledhim ata të tjerët”.

Dritan Dedja ka shkuar të takojë në Kavajë Isuf Gegën. Në kohën që ka qenë duke shkuar në Kavajë, në një komunikim me telefon ai thotë: Jam tu shku tek cufja, jam këtu, t’i jap ato që më tha”.

Rrahim Dedja komunikon se lekët janë gati dhe se nuk janë duke i mbajtur. Të afërmit e tjerë shfaqeshin të shqetësuar nëse ishte kryer pagesa për të liruar të arrestuarit.

Pas marrjes së pagesës, rezulton se prokurori kërkoi masën e detyrimit me paraqitje dhe këtë masë e pranoi edhe gjykata duke liruar 4 të arrestuarit.

Top Channel