U akuzua nga Deizi Arapi se i dogji makinën, i vihet flaka mjetit të punonjësit të karburantit në Bilisht

10/10/2022 09:47

Dy javë pasi u dogj mjeti i 27-vjeçares, Deizi Arapit, një tjetër mjet është djegur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Bilisht.

Mësohet se mjeti i përket i punonjësit të karburantit në Bilisht, Marsel Buços. Ky i fundit u akuzua nga Deizi Arapi se është përgjegjës i djegies së mjetit te saj.

Zjarrvënia e sotme sipas policisë dyshohet e qëllimshme, pasi mund të jetë ‘hakmarrje’ për ngjarjen e ndodhur më 25 shtator ku iu vu flaka mjetit të Arapit dhe u dogj plotësisht.

Deizi Arapi, pronarja e makinës tip “Mercedes Benz” që u dogj para dy javësh ngriti akuza se ngjarja lidhet me një konflikt të vjetër mes saj dhe ish kryebashkiakut Bledion Nallbati aktualisht deputet i PD për shkak të largimit të padrejtë të nënës së saj nga puna, ndërsa dëshmoi se personi që ka kryer veprimin ishte  punonjësi i karburantit në pronësi të deputetit.

Deputeti Nallbati i cili aktualisht ndodhet jashtë Shqipërisë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, ndërsa ka sqaruar se me të renë nuk ka konflikte dhe se me të ka komunikuar vite më parë vetëm për rastin e nënës së saj.

Më tej ai shtoi se akuzat ndaj tij mund të jenë të nxitura nga dikush tjetër dhe se sapo të kthehet nga Gjermania do ti drejtohet organeve ligjzbatuese duke bërë një kallëzim për shpifje.

Vetëm një muaj më parë 27-vjeçarja Arapi u la nga gjykata në masën e sigurisë detyrim paraqitje, par arrestimit për shkak se u konfliktua verbalisht dhe fizikisht me punonjësit e policisë. Ata  i kërkuan të mos prishnin rendin dhe qetësinë publike pasi së bashku me motrën dhe disa miqtë e saj po dëgjonin muzikë në makinë gjatë mesnatës.

Top Channel