
Brenda dy javësh, Komisioni Europian shpall masat për stabilizimin e çmimeve të energjisë. Nga samiti dixhital i Tallinit, kryetarja e tij, Ursula von der Leyen sqaron si do të funksionojë skema me vendet e treta.
“Në dy javët e ardhshme, do të dalim me propozime për të zbutur çmimet e gazit dhe për të zbutur çmimin e energjisë elektrike. Qëllimi është ulja e çmimit në një nivel të caktuar pa rrezikuar sigurinë e furnizimit. Ajo që kemi bërë, për shembull, në paketën e tetë që është shumë e rëndësishme, është se nëse merren mallra europiane, çohen në vende të treta pastaj në Rusi, epo personi apo subjekti që e bën këtë do të listohet nga ne. Pra, ky është një nxitës shumë i fortë për t’u siguruar që të mos kemi një anashkalim përmes vendeve të treta drejt Rusisë”, tha Ursula von der Leyen.
KE-ja po planifikon sakaq t’u japë vendeve anëtare më shumë liri veprimi për të mbështetur bizneset që vuajnë nga pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe çmimet e larta të energjisë.
Duke ndryshuar kuadrin e përkohshëm të krizës për ndihmën shtetërore, Komisioni i BE-së po reagon ndaj ankesave në rritje nga shoqatat e biznesit që kërkojnë më shumë mbështetje nga shteti për të parandaluar një valë mbylljesh të kompanive.
Korniza e ndryshuar vjen gjithashtu në një kohë kur shtetet anëtare dhe KE-ja shqetësohen se paketa e fundit e subvencioneve e Gjermanisë deri në 200 miliardë euro, që synon të mbrojë kompanitë dhe familjet e saj nga rritja e çmimeve të energjisë, mund të dëmtojë kushtet e barabarta në tregun e përbashkët.
Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me një shtrirje të fushës së veprimit për kompanitë me probleme lkuiditeti, një rritje të sasisë së ndihmës që një firme mund të marrë nga vendet anëtare të BE-së dhe një fokus më të fortë në mbështetjen e kompanive për të kursyer energji.
Top Channel