Një çift të moshuarish përfunduan në spitalin e Durrësit pas një konflikti të ashpër fizik mes tyre.

Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e së hënës në lagjen nr. 11, pranë gjykatës së Durrësit. Mosmarrëveshjet mes bashkëshortëve ishin ashpërsuar ditët e fundit dhe shkak për këtë është mosrespektimi i kontratës së lidhur mes tyre si pronarë trualli dhe firmës ndërtuese të pallatit ku ata jetojnë.

Në pritje për të përfituar dhe një apartament tjetër siç u ishte premtuar, bashkëshortët kanë mësuar se firma ndërtuese e ka shitur edhe katin e parë të godinës.

“Janë pronarë të truallit këtu dhe kishin marrq vetëm një hyrje dhe donin të tjera. Nuk kanë pasur konflikte më parë. Të dy ishin të sëmurë“, tha fqinja.

I paralizuar pjesërisht, bashkëshorti fajëson gruan e tij për situatën e krijuar, ndërsa tonet e larta kanë përfunduar në përdorimin e sendeve të forta mes tyre.

Bashkëshortët janë dërguar dhe po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Durrësit, ndërsa fqinjët shprehen se situata e krijuar nga palë të treta për objektin e ndërtuar vite më parë dhe ende të pahipotekuar, duhet të marrë fund dhe të respektohet marrëveshja mes pronarëve të truallit dhe ndërtuesve.

“Mirë nuk është të kesh konflikte në këtë moshë“, shtoi më tej fqinja.

Top Channel