Njësia e vetme e shitjes në fshatin Piskovë buzë Vjosës është një godinë e vjetër e ndërtuar gjatë diktaturës dhe e përshtatur për të qenë dyqan.

Dyqani është qendra e jetës për rreth 50-60 banorë të moshuar që kanë ngelur në këtë zonë. Listat e detyrimeve të prapambetura për ushqime këtu janë shumëvjeçare.

Piskova si e gjithë zona e fshatrave përreth Përmetit dhe Këlcyrës ka një nivel të lartë braktisjeje për shkak të emigracionit. Të moshuarit tregojnë se bëjnë vite pa i parë fëmijët, nipërit e mbesat por pranojnë se emigrantët mbeten garancia që ata të blejnë ilaçet dhe të kryejnë kontrollet shëndetësore.

Megjithëse gjendet buzë rrugës nacionale fshati nuk çon pothuajse asgjë në treg. Banorët kultivojnë kopshtet përreth banesave vetëm për nevojat e tyre ndërsa disa familje jetojnë prej blegtorisë. I gjithë mjedisi brenda fshatit reflekton mungesë të theksuar të shërbimeve publike.

Lumi Vjosa lag me dhjetëra fshatra të ngjashëm me Piskovën që kur hyn në territorin shqiptar e deri sa derdhet në det. Ekspertët e turizmit besojnë se marrja e statusit të parkut kombëtar mund të rizgjonte jetën në fshatrat piktoreskë të buzë-Vjosës të cilat gjenden ende jashtë çdo harte turistike apo plani zhvillimi.

Top Channel