Një 40-vjeçar banues në lagjen “Lef Sallata” të Vlorës ka rënë në pranga, pasi pas një konflikti për motive të dobëta, mbrëmjen e djeshme, ka goditur me thikë dy persona.

Të plagosurit 35 vjeç dhe 23 vjeç ndodhen në spitalin e Vlorës, nën kujdesin e mjekëve.

Burime për Top Channel, bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës 9-vjeçare “24 Maji” brenda një berberhane.

Një person me emrin Mexhit Arapi, ka hyrë brenda berberhanes duke goditur dy punonjës Kevin Nuredinin 23 vjeç dhe Ervis Sejkon 35 vjeç te berberhanes ndërsa më pas është dëmtuar edhe vetë.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja, e armëve të ftohta”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit  të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja, e armëve të ftohta”, shtetasin M. A., 40 vjeç, banues në lagjen “Lef Sallata”, sepse pas një konflikti për motive të dobëta, mbrëmjen e djeshme, ka goditur me mjet prerës thikë shtetasit E. S., 35 vjeç dhe K. N., 23 vjeç, të cilët ndodhen në spitalin e Vlorës, nën kujdesin e mjekëve”, sipas policisë.

Gjatë 24 orëve të fundit në Vlorë kanë rënë në pranga edhe dy persona të tjerë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Q. Gj., 54 vjeç, banues në Sarandë, pasi ditën e djeshme është konstatuar duke hedhur inerte, në një sipërfaqe toke. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin D. H., 56 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur”, sipas policisë.

Materialet e tyre iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel